Mbi 85 000 banorë në 80 fshatra do të përfitojnë ujë të pijshëm 24 orë falë projektit që po implementon Fondi Shqiptar i Zhvillimit, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW dhe Qeveria shqiptare. Qëllimi i investimit është ulja e diferencave të cilësisë së jetës mes fshatit dhe qytetit, duke nxitur turizmin dhe zhvillimin ekonomik rajonal.

Programi i Ujësjellësit Rural 3, kap shifrën e 39.3 milionë euro, e financuar në formë kredie. 24 milionë euro investime, dhe 1.5 milionë euro masa shoqëruese janë financuar nga qeveria Gjermane dhe 9.8 milionë euro nga Bashkimi Europian në bazë të programit “IPA 2013”, dhënë përmes bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe 4 milionë euro është kontributi i qeverisë shqiptare. Nga programi në total do përfitohen 596 km tuba rrjeti të ujit në të gjithë vendin. Po ashtu do përfitohen, 41 rezervuare të rinj dhe 5 700 lidhje të reja që do instalohen nëpër banesa. Nga projekti do përfitojnë 85 000 banorë në 80 fshatra

Në kuadër të këtij projekti, që pritet të mbyllet në fund të vitit 2021 dhe që ka marrë jetë në shkurt të vitit 2019, Ambasadori i Republikës Federale Gjermane, Peter Zingraf inspektoi punimet në fshatin “Kallmet” të Lezhës, ku punimet pritet të mbyllen në shkurt të vitit 2020.

Leonard Miloti, Koordinator Projektesh pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit u shpreh se ky projekt është i shtrirë në të gjithë vendin. “Programi i ujësjellësve rural që investohet nga KfW dhe nga fondet e BE është duke u implementuar nga Fondi Shqiptarë i zhvillimit. Afati i realizimit është deri në fund të vitit 2021. Aktualisht punimet janë të ndara në katër lote, katër kontrata të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë. Programi mbulon 14 bashki dhe popullsia përfituese është mbi 85 000 banorë, që do kenë ujë të pijshëm dhe cilësor 24 orë”-, tha Miloti, teksa i prezantoi planin e punimeve Ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Ambasadori Zingraf, u shpreh se ky projekt synon të ulë diferencën mes jetës në zonat rurale dhe ato urbane, duke motivuar zhvillimin ekonomik e turistik të këtyre zonave. “Ky është një projekt i rëndësishëm i furnizimit me ujë të pijshëm të zonave Rurale. Përmirësimi i kushtetove të jetesës dhe të banorëve të këtyre zonave është tejet i rëndësishëm përmes zbatimit të këtyre projekteve. Përmes projekteve të tilla “KfW” kujdeset që, dallimet në cilësinë e jetesës mes fshatit dhe qytetit të jenë sa më të vogla, apo që të reduktohen në masë të ndjeshme, në mënyrë të tillë që mund të zhvillohet edhe në zonat rurale turizmi dhe ekonomia rajonale në tërësi”-, u shpreh Zingraf.

Nga projekti që po zhvillohet në Kallmet të Lezhës pritet të përfitojnë rreth 18 000 banorë. Në total nga investimi janë 6 skema në zonë e veriut, 2 në Tropojë, 1 në Dibër 1, në Burrel, 1 në Klos dhe 1 në Kallmet. Nga Investimi në fjalë do të furnizohen me ujë përgjatë 24-orëve, 29 fshatra. Sipas projektit, do shtrihen 323 km linja. Gjithsej janë 6 km linja transmetimi, 48 km linja shpërndarëse dhe deri tani janë zbatuar rreth 30 km linja, janë hapur dhe janë mbuluar nën tokë, duke mos krijuar dhe shqetësime në zonën përreth.

Bledar Dollaku, Koordinator Programesh në KfW, u shpreh se, qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim ka investuar që prej vitit 1990’, 370 milionë euro në total në sektorin e ujësjellësit. “KfW-ja është angazhuar prej shumë vitesh në sektorin e ujësjellës dhe kanalizimeve në Shqipëri. Bëhet fjalë për një nevojë bazë të qytetarëve dhe për menaxhimin e këtij resursi, ujit, që është shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve. Bëhet fjalë për përmirësimin e higjienës dhe cilësisë së jetës, duke nxitur edhe ekonominë”.

“Fakti është se përmes “KfW”, Qeveria gjermane ka investuar 370 milionë euro në total, duke nisur që prej momentin të ndryshimit të sistemeve. Kemi dy programe kryesore, një program të infrastrukturës bashkiake, që adreson çështjet e furnizimit me ujë në zonat urbane dhe kemi edhe programin e furnizimit me ujë të zonave rurale. Shkodra, Lezha, Kamza, Lushnja, Berati, Kuçova, Gjirokastra, Sarandë, Librazhdi dhe Delvina, këto janë qytetet ku ndërkohë jemi duke zhvilluar programe ku kanë nisur punimet dhe ku janë parashikuar investime me një kohë afat shkurtër. Ndërsa në ujësjellësit rural janë rreth 80 fshatra përfitues”-, theksoi Dollaku.

Frrok Pjetri, një banor i “Kallmetit”, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh mjaft entuziast për investimin në sektorin e ujësjellësit. “Gjendja e ujit në fshat është e tillë që kërkon përmirësim dhe ndaj po bëhet kjo ndërhyrje. Sa i takon shpejtësisë së projektit ajo po ecën mjaft mirë, por duhet parë rezultati në fund. Dihet se të kesh 24-orë është një lajm shumë i mirë dhe dihen dhe të mirat që sjell për fshatin tonë. Në zonën tonë prodhohet Vreshtaria dhe Ullishta, por ka dhe prodhime të tjera”-, tha Pjetri për ATSH

Fshati “Kallmet”, nga ky projekt, do të përfitojnë 4 153 baanorë, të ndarë në fshatrat Kallmet i Vogël dhe Kallmet i madh. Në fshatin në fjalë do ndërtohet rezervuari i ri, 6.1 km tub kryesorë trasmisioni dhe 53 km tub rrjeti. Do instalohen 1 242 lidhje të reja me shtëpitë e fshatrave në fjalë.