“Unë personalisht nuk kam asnjë dokument që ta kem përpiluar firmosur apo vulosur unë, dhe që i drejtohet KQZ-së.”

Kështu deklaroi ish-Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani në një prononcim për Report TV, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për ta marrë atë të pandehur “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ.

Për Ristanin, akuza e ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës, nuk është asgjë tjetër veçse një akuzë e montuar politikisht.

“Prokuroria e Tiranës ka pasur një hetim lidhur me dy akuza për falsifikim dokumentesh dhe prash, ndaj Bashës meje dhe Dervishit. Pasi kanë vijuar hetimet i kanë përfunduar. Dhe sot na komunikuan duke rrëzuar akuzën për pastrim parash, dhe duke lënë akuzën për falsifikim të dokumenteve shtetërore.

Unë Arben Ristani nuk kam përpiluar asnjë dokument shtetëror, as nuk e kam vulosur, që të akuzohet dikush për falsifikim të dokumenteve. Unë personalisht nuk kam asnjë dokument që ta kem përpiluar firmosur apo vulosur unë, dhe që i drejtohet KQZ-së. Nuk ka asnjë dokument të firmosur në emrin tim, është një akuzë në ajër ndaj meje, është një montim politik.

Kjo çështje nuk besoj se e rrezikon se është e pabazuar në prova, dhe bëhet për të dëmtuar partinë demokratike. Dhe njerëz që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit gjatë kësaj kohe.

Unë jam totalisht në padijeni të kësaj historie, unë nuk kam asnjë komunikim zyrtarë, vulë apo firmë timen në dokumentet që i drejtohen institucioneve shtetërore.”, -deklaroi Ristani për Report TV.

Prokuroria e Tiranës, pasi mbylli hetimet, vendosi që Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, bashkë me Arben Ristanin, dhe financierin e partisë, Ilir Dervishin, tw merren të pandehur për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve” në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ, ndërsa akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka rënë.