Shqipëria është shndërruar tashmë në destinacionin e preferuara turistik për vizitorët e huaj të cilët eksplorojnë bukuritë dhe peizazhet e mrekullueshme që vendi ynë ofron në çdo stinë të vitit.

Gjithashtu vendi ynë tashmë po promovohet edhe nga turistët e huaj të cilët gjatë vizitave të tyre në Shqipëri tregojnë përmes videove eksperiencat si dhe përshtypjet e tyre për Shqipërinë e cila ka thesare të mëdha për t’i ofruar çdo kujt.

I tillë është dhe rasti i Anne dhe Jeff një çift i ri nga Amsterdami të cilët kanë filmuar gjithë udhëtimin dhe aventurat e tyre në Shqipëri gjatë qëndrimit të tyre 48 orë.

Për Anne dhe Jeff ishte hera e parë që vizitonin Shqipërinë dhe dinin shumë pak për vendin tonë ku siç shprehen dhe vet Shqipëria është vendi i 43-të që vizitojnë së bashku dhe për ta është emocionuese që pas gjithë këtyre udhëtimesh, akoma gjejnë vende nëpër botë për të cilat nuk dinë asgjë.

Pasi zbritën nga aeroporti i Rinasit, ata e nisën itinerarin e tyre turistik 48 orësh duke shijuar gatimet tradicionale dhe eksploruar bukuritë e liqenit të Shkodrës për të ndaluar edhe në kalanë e Rozafës. Ata shprehen se Shqipëria ishte një zgjedhje e mirë pasi ky vend i ka të gjitha.

“Po vizitojmë kështjellën e Rozafës në Shkodër dhe më pas do të shkojmë në Theth, ku do të bëjmë një hiking epik, që duhet bërë patjetër në Shqipëri”, shprehen Anne dhe Jeff.

Jeff dhe Anne shprehen se, “romakët, turqit, venecianët, grekët, bizantinët, të gjithë këta pushtuan atë që sot është Shqipëria. Ka një nga historitë më të jashtëzakonshme dhe nga më të vjetrat, rreth 5000 vjet. Rrënoja shumë të bukura që datojnë nga shekulli VIX”.

“Kjo është një ndër arsyet pse zgjodha Shqipërinë. Ka shumë bukuri në këtë pjesë të botës që nuk i njohim. Amerikanët kanë simbol një shqiponjë, por shqiptarët kanë shqiponjën me dy krena në flamurin e tyre. Kjo kala u ndërtua para më shumë së 2000 vitesh dhe u pushtua nga romakët në vitin 167 p.e.s”, shprehen ata.

Pasi shijuan bukurinë që ky vend ka ata mbetën të mahnitur dhe nga historia dhe të habitur që një vend kaq i vogël ka kaq shumë histori.

Ata vijuan itinerarin e tyre drejt bukurive të Alpeve Shqiptare, drejt Thethit.

Ata shprehen se, “arritëm në Thethin e bukur dhe mbresëlënës. Nuk do e imagjinonit kurrë që kjo është Shqipëria. Kudo ka rrush që rritet në vreshta, male të mrekullueshëm, asnjë re në qiell. Vend i lumtur dhe malet janë gjithashtu të bukur”.

Ata shijuan hiking përmes shtigjeve interesante që ky vend ofron dhe më pas panë “Syrin e Kaltër”, ku shijuan aventurën në ujin kristal.

Më pas ata shijuan bukuritë e shtigjeve duke bërë hiking nga Thethi në Valbonë ku u befasuan nga pyjet dhe madhështia e maleve që ky shteg ofron.

Në fund të itinerarit të tyre mes aventurës dhe bukurive që vendi ynë ka Anne dhe Jeff ja rekomandojnë kujtdo që të planifikojnë aventurën e tyre në Shqipëri. Ata gjithashtu shprehën se gjatë qëndrimit të tyre 48 orë takuan njerëz shumë miqësor, shijuan gatimet e shijshme dhe natyrën e paparë.

Ata e mbyllin videon e tyre me një mesazh mjaft interesant në fund të këtij rrugëtim emocionues ku u njohën me Shqipërinë, duke iu bërë thirrje të gjithëve atyre që nuk e kanë vizituar mos të harrojnë ta shtojnë atë në listën e dëshirave.