Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur 15 prokurorët që nëse arrijnë të kalojnë me sukses kontrollin e trefishtë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Pas një procesi përzgjedhës, më 16 korrik, KLP bëri pikëzimin e kandidaturave duke zgjedhur si më të mirët, prokurorin Altin Dumani, aktualisht i komanduar në krye të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.

I dyti në listë është prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini. Ky i fundit me një CV të pasur në hetimin e grupeve kriminale. Pjesë e të përzgjedhur nga Këshilli është edhe prokurorja e Krimeve të Rënda, Elizabeta Imeraj, aktualisht e komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës.

Imeraj, më herët është konsideruar si “gruaja e hekurt” gjatë përfaqësimit të Akuzës, në çështjen ndaj ishministrit të Brendshëm, ndërsa ka pasur në dorë dosje të krimit të organizuar dhe funksionarëve të lartë.

I përzgjedhur është edhe prokurori që aktualisht ka nën hetim dosjen ndaj ishkryeprokurorit Adriatik Llalla, Klodian Braho. Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi dhe Behar Dibra, prokurorë në Prokurorinë për Krime të Rënda janë gjithashtu në listën e 15 më të mirëve.

Si të denjë për në SPAK, janë zgjedhur edhe prokurorët Ndini Tavani e Elida Kaçkini, të Prokurorisë së Tiranës. Pjesë e listës përfundimtare është edhe prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, Anita Jella, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit dhe Enkeleda Millonaj, prokurore në Elbasan, shkruan panorama.

Ngritja e SPAK është tashmë në dorën e KPK, pasi kandidatët duhet të kalojnë procesin e vetingut. Aktualisht 11 prokurorë janë përballur me procesin e rivlerësimit dhe kanë kaluar, ndër ta Arben Kraja në të dyja shkallët.

Në pritje të vetingut janë prokurorja Elizabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu, Anton Martini dhe Ndini Tavani. Ndërkohë, prokurori Besnik Muçi në vjeshtë do të përballet me Shkallën e Dytë.

PROKURORËT E SPAK

1.Altin Dumani
2.Anton Martini
3.Elisabeta Imeraj
4.Arben Kraja
5.Doloreza Musabelliu
6.Klodian Braho
7.Enkeleda Millonai
8.Manjola Kajana
9.Edvin Kondili
10.Ened Nakuçi
11.Elida Kaçkini
12.Ndini Tavani
13.Behar Dibra
14.Anita Jella
15.Besnik Muçi