“Gjatë katër viteve të fundit janë 234 mijë qytetarë dhe qytetare, kryefamiljarë dhe kryefamiljare, anëtarë familjesh që kanë gjetur një punë”, deklaroi sot në Kuvend, ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Në fjalën e tij së seancën e Kuvendit, ku po diskutohet dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, Ahmetaj theksoi se “kjo shifër është 35% e totalit të punësimeve që kanë ndodhur ne 30 vite. Imagjinoni që janë 680 mijë vende pune, punësimi në 30 vite, nga të cilat 234 mijë janë krijuar e zënë nga qytetarët në këto katër vite”.

Por, vijoi ai, këtë nuk e them për t’u mburrur ne, se jam shumë i ndërgjegjshëm se ka betejë shumë të gjatë me përmirësimin e rritjes ekonomike.

“Këtë e them për të treguar se ka shume shpresë dhe së bashku do të punojmë edhe për ata të papunë të tjerë. Janë 76 mijë të papunë të regjistruar në zyrat e punës, ka shpresë edhe për ata 234 mijë vende pune për katër vite”, nënvizoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj premtoi se do të vazhdojmë të punojmë edhe tre vitet e ardhshme për të përmirësuar punësimin.

“Nuk ka mburrje tek qytetarët që kanë nevojë për punë, gjithmonë ekonomia ka nevojë të përmirësohet, por e themi si shpresë për ata që duan të përmirësohen”, tha ai .

Duke folur për statistikat e punësimit të të rinjve, Ahmetaj theksoi se “papunësia e të rinjve ka qenë mbi 30% , por ka zbritur në 22%, janë qindra e mijëra të rinj që kanë arritur të gjejnë punë. 22% është akoma shumë, por është shifra më e ulët në rajon”.

“Ne duhet të bëjmë më shumë punë për arsimin profesional”, tha Ahmetaj