Në një event të organizuar ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama prezantoi një skemë të re sociale të qeverisë, e cila i vjen në ndihmë personave që mbeten ende të papunë pas humbjes së vendit për shkak të epidemisë së COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë karantinës, në Shqipëri humbën vendin e punës 33 mijë qytetarë. Nga qershori, 20 mijë prej tyre janë ripunësuar në kompani të reja apo në kompanitë origjinale që rifilluan aktivitetin ekonomik.

Për 13 mijë të tjerët që mbeten ende të papunë, skema e re ofron avantazhe direkte për punonjësit dhe kompanitë që do t’i punësojnë. Sipas këtij programi, shteti do të ndërhyjë duke paguar në nivelin e pagës minimale rrogën e punonjësit për 4-8 muaj në vazhdim.

Njëkohësisht, përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së subvencionit, shteti merr përsipër të paguajë kontributet shoqërore dhe shëndetësore në 100% të vlerës së tij. Që do të thotë se shteti do të mbulojë edhe përqindjen e ulur nga paga e punonjësit, edhe përqindjen që duhet të paguajë kompania.

Pjesë e këtij skeme është edhe një mekanizëm i ri, i cili zgjat 12 muaj, përgjatë të cilëve shteti mbulon 100% të vlerës së kontributeve, për ata persona që janë të punësuar në sektorin informal dhe vendosin të deklarohen. Programi i ri për punësimin e personave të dalë në papunë nga COVID i bashkangjitet një numri programesh ekzistuese për punësimin e personave në kërkim pune.

Midis tyre, tre progamet kryesore janë programi i punësimit, 1 vit subvencion për punëdhënësin, formimi përmes punës, ku të interesuarit përfitojnë kurse formimi falas nga ana e shtetit dhe programi i praktikave, nga i cili përfitojnë direkt të sapodiplomuarit.

Në muajin shkurt 2020, me 11.2% Shqipëria arriti nivelin më të ulët të papunësisë që prej vitit 1991, njëkohësisht nivelin më i ulët i papunësisë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për shkak të epidemisë, niveli i papunësisë është rritur aktualisht në 11.9%. Në rang vendi, janë 84 mijë të papunë të regjistruar në zyrat e punës.

🟢 3 PROGRAME TË REJA NXITJEJE TË PUNËSIMIT në mbështetje të atyre që janë prekur në vendin e tyre të punës (formal ose joformal) nga pandemia🤝#ShqipëriaqëDuam🇦🇱☀️

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 23. September 2020