Mungojnë edhe 4 skuadra për të kompletuar kuadrin e 24 përfaqësueseve që do të marrin pjesë në Euro 2020.

Për 4 vendet e fundit në lojë janë 16 ekipe që do të duelojnë mes tyre në play-offin e Nations League për të prekur fazën finale të Europianit.

Gjysmëfinalet e 4 ligave A, B, C dhe D do të zhvillohen më 26 mars ndërsa finalet në 31 mars 2020. Për 3 vendet e ngelura vakant në play-offin e Ligës A dhe 1 në atë të Ligës C, është hedhur shorti për skuadrat që kanë shkuar në Ligën A dhe atë të vetme që i është bashkangjitur Skocisë, Serbisë dhe Norvegjisë në Ligën C. Kështu në Ligën A, kanë shkuar Rumania, Bullgaria dhe Hungaria ndërkohë që në Ligën C ka mbetur Izraeli.

Në play-offin e Ligës A, Islanda do të sfidojë Rumaninë dhe Bullgaria do të ndeshet me Hungarinë. E sigurtë është që një tjetër vend organizator i Euro 2020 do të eliminohet pas Azerbajxhanit pasi mes Rumanisë dhe Hungarisë mund të hyjë vetëm njëra ose mund të mos kualifikohet asnjëra.

Në Ligën B Bosnje Hercegovina e vetmja skuadër që është me meritë në këtë play-off do të presë Irlandën e Veriut ndërkohë Sllovakia do të presë Republikën e Irlandës. Në Ligën C, ashtu si në grupin A të kësaj lige ku bënte pjesë edhe Shqipëria, Skocia do të presë Izraelin ndërkohë që Serbia do të sfidojë Norvegjinë.

Në Ligën D, gjithçka ishte përcaktuar që më herët me Gjeorgjinë që do të presë Bjellorusisë dhe Maqedoninë e Veriut që do të presë Kosovën. Finalja do të luhet në fushën e fitueses së çiftit Gjeorgji-Bjellorusi.

Play Off

Liga A

Islandë-Rumani

Bullgari-Hungari

Liga B

Bosnje Hercegovinë-Irlandë e Veriut

Sllovaki-Republika e Irlandës

Liga C

Skoci-Izrael

Serbi-Norvegji

Liga D

Gjeorgji-Bjellorusi

Maqedonia e Veriut-Kosovë