Vetëm nëse trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, shkarkohet, mbrojtësi i krahut të majtë, Luke Shaw do të nënshkruajë kontratë të re me klubin, raporton DailyMail.
Raportohet se përfaqësuesit e Luke Shaw nuk kanë pranuar të takohen me drejtuesit e klubit për të biseduar për një kontratë të re, përkundër faktit se klienti i tyre ka qenë titullar në të tri ndeshjet e këtij sezoni të Premierligës, përcjell Gazeta Express.

Shaw është duke pritur ta shohë nëse Mourinho do të shkarkohet para se ai të marrë vendimin për të nënshkruar një kontratë të re. Kontrata e tij e tanishme me “Djajtë e kuq” përfundon në qershor të vitit 2019.

Luke Shaw kishte pasur probleme me trajnerin portugez sezonin e kaluar. Ai u përfshi vetëm në 11 ndeshje të Manchester Unitedit sezonin e kaluar, dhe përkundër formës së mirë që shfaqi në ato ndeshje, ai nuk zgjidhej si titullar.

Mundësia e largimit të trajnerit Jose Mourinho thuhet se është diskutuar edhe në dhomat e zhveshjes mes lojtarëve, pasi që spekulimet se ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, mund ta zëvendësojë portugezin e kanë tërhequr vëmendjen e lojtarëve të Manchester Unitedit.

Lojtarët e Manchester Unitedit besojnë se trajneri i tyre, Jose Mourinho, do të shkarkohet nëse nuk arrin të sigurojë fitore të dielën kundër Burnleyt.