Arsene Wenger pritet ta bëjë kthimin e tij në botën e futbollit, pasi që mediat angleze raportojnë se ai e ka pranuar pozitën e drejtorit të Zhvillimeve Teknike në organin qeverisës të futbollit botëror, FIFA. 69-vjeçari u largua nga pozita e trajnerit të Arsenalit në fund të këtij sezoni, pas 22 sezoneve në drejtim të londinezëve. Që nga atëherë, ai i ka refuzuar shumë oferta për një rol menaxherial, transmeton Gazeta Express.

Sipas lajmeve të publikuara nga e përditshmja franceze, Le Parisien, Wengeri e kishte refuzuar mundësinë për një rol drejtues në Paris Saint-Germain, pasi që e preferoi rolin e drejtorit të Zhvillimeve Teknike në FIFA. Kjo pozitë në FIFA do t’ia japë mundësinë francezit që të mbajë përgjegjësi për ndryshime të mundshme të rregullave në lojën e futbollit, inovacioneve teknologjike dhe shumë gjëra të tjera. Pas largimit të tij nga pozita e trajnerit të Arsenalit, Wengeri ka qenë duke punuar si analist në ndeshjet e futbollit, për BeIN Sports.