Kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos e ka mbajtur një fjalim për bashkëlojtarët e tij, duke kërkuar nga ta që të përqendrohen në 12 ndeshjet e mbetura të këtij sezonit të La Ligës. Pasi që asnjë anëtar i stafit të trajnerëve nuk ishte prezent, Ramos e grumbulloi skuadrën në zhveshtore dhe ua dha mesazhin: të gjithë duhet të përqendrohen në secilën ndeshje mes tani dhe fundit të sezonit, transmeton Gazeta Express.

Dje u raportua se pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, u shkaktua një zënkë të madhe në zhveshtoren e Santiago Bernabeut, mes presidentit Perez dhe kapitenit Ramos, i cili kishte munguar në këtë ndeshje për shkak të dënimit të UEFA-s pasi ishte ndëshkuar qëllimisht me karton të verdhë. Perezi kishte qenë duke i pritur futbollistët pas ndeshjes dhe i kritikoi ata për sjelljen e tyre gjatë ndeshjes. Fjalimi i tij vazhdoi për disa minuta, gjatë të cilave ai i sulmoi disa lojtarë për mungesë përkushtimi dhe duke i quajtur “maskarenj”.

Në këtë pikë, Ramosi iu përgjigj, duke e akuzuar Perezin dhe bordin drejtues të “Los Blancos’ për planifikim të dobët dhe duke i fajësuar ata për sezonin e tmerrshëm. “Më paguaj dhe do të largohem. Kam dhënë gjithçka për këtë klub e madje edhe për ty”, i kishte thënë Ramosi Perezit, në zhveshtore, ku ishin të pranishëm të gjithë.

Pas kësaj, presidenti u takua me bordin e klubit dhe takimi vazhdoi deri në orën dy të mëngjesit. Aty u diskutuan të gjithë opsionet e mundshme, përfshirë këtu shkarkimi i Santiago Solarit dhe emërimi i Mourinhos, i cili njihet për lidhjen e keqe me Ramosin. Presidenti dhe bordi drejtues kishin mendime plotësisht të ndryshme për hapat e ardhshëm të cilët duhet të merret dhe, për këtë arsye, asnjë vendim nuk u mor në atë takim. Megjithatë, një vendim për të ardhmen e Solarit pritet të merret së shpejti.