Dy nga figurat më të rëndësishme të Real Madridit, Cristiano Ronaldo dhe Zinedine Zidane, u larguan nga “Santiago Bernabeu” gjatë verës së vitit të kaluar. Drejtuesit e klubit akuzohen se ata janë fajtorë për këto humbje të madrilenëve. Ish-presidenti i Real Madridit, Roman Calderon, thotë se Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi pasi që nuk ishte i lumtur me spekulimet për blerjen e Neymarit, si dhe me mënyrën se si po trajtohet nga presidenti i klubit, Florentino Perez.

Superylli portugez e mori vendimin për t’u largua nga kryeqyteti spanjoll verën e vitit 2018, kur iu bashkua Juventusit. Ai u nxit për ta marrë këtë vendim pasi që Perezi nuk pranonte t’i ofronte kontratë të re. “Cristiano kërkoi një rritje në pagë, pas triumfit në Ligën e Kampionëve dhe Florentino nuk ia plotësoi këtë kërkesë. Cristiano u zemërua edhe për shkak se dëgjoi që Madridi ishte i gatshëm të shpenzonte para për Neymarin”, ka thënë Calderon. “Floretino i tha atij se nëse dikush ofronte 100 milionë euro për të, ai mund të largohet. Dhe pikërisht kështu ndodhi. Florentino nuk e pranoi asnjëherë se Cristiano ishte transferim i imi”.

“Nuk e mohoj që ai ka qenë një president i mrekullueshëm për Madridin, por ai nuk e pranon në mënyrën e duhur trashëgiminë që e mori në këtë klub. E njëjta që ndodhi edhe me Iker Casillasin, Raulin, Arjen Robbenin dhe Wesley Sneijderin”. Calderon gjithashtu pretendon se fajtor për largimin e ish-trajnerit Zinedine Zidane ishte Perezi. Francezi u largua në fund të sezonit të kaluar, pasi e fitoi tre herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve dhe një titull të La Ligës, në vetëm dy sezone e gjysmë me madrilenët. “Është e qartë që Zidane i kishte kërkuar Florentino Perezit diçka që ky i fundit nuk arriti t’ia plotësojë. Njëra nga kërkesat e Zidane ishte edhe që Cristiano të mos largohet asnjëherë”.