Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ia dhuroi Malcomit paraqitjen e tij të katërt për klubin e tij të ri në ndeshjen kundër Interit, mbrëmë në San Siro, dhe ndikimi i brazilianit ishte i dukshëm menjëherë.
Braziliani arriti ta shënojë golin që e dërgoi skuadrën e tij në epërsi vetëm dy minuta pasi kishte hyrë në fushë. Ai arriti të depërtojë në mbrojtjen e Interit dhe e mposhti portierin Samir Handanovic, transmeton Gazeta Express.

Ai e festoi këtë gol duke e mbajtur kokën e tij në duar, pasi që i lejoi të shfaqën emocionet e tij. Malcom kishte luajtur për vetëm 105 minuta lojë, që nga transferimi i tij te klubi katalonas gjatë afatit kalimtar të verës.

“Ëndrra ime është fillimi. Ëndrra ime është të shkruhen në histori dhe të bëj gjëra të mrekullueshme. Dua ta falënderoj këtë grup për besimin që kanë për mua”, ka thënë Malcom, pas ndeshjes kundër Interit, që përfundoi me rezultat 1-1.

“Dua të luaj më shumë. Çdo ditë unë stërvitem sa më shumë në mënyrë që ta dëshmoj aftësinë time për ta merituar një vend në këtë grup. Asgjë në jetën time nuk më ka ardhur me lehtësi”.

Pasi erdhi në Camp Nou si blerje e klubit, dhe jo pse u kërkua nga trajneri, ishte e pritshme që Malcomi ta ketë të vështirë për ta bindur Valverden. Pasi që Ousmane Dembele tanimë ishte njëri nga opsionet e trajnerit, Malcomi u detyrua ta presë radhës e tij dhe u fut në ndeshjen si zëvendësues i francezit pas 81 minutave lojë.