Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka befasuar tifozin 104-vjeçar të klubit anglez, Bernard Sheridan, duke ia dërguar atij disa dhurata për ditëlindje, përfshirë këtu edhe bileta për ndeshjen e radhës. Sheridani ka qenë tifoz i Liverpoolit që nga viti 1923, kështu që ai u gëzua jashtëzakonisht shumë kur u befasua me dhuratat nga trajneri Klopp. Ai mori një letër të nënshkruar nga strategu gjerman, një fanellë të klubit, bileta për ndeshjen kundër Crystal Palace dhe një tortë për ditëlindje.

“I dashur Bernard, dua të ta uroj personalisht ditëlindjen e 104-të. Shpresoj se do t’i shijosh festimet me familjen dhe shoqërinë. Të falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që ke treguar ndaj klubit. Nuk do të ecësh kurrë i vetëm”, shkruhet në letrën e dërguar nga Klopp. Mirëpo, përderisa Sheridani ishte shumë i lumtur me dhuratat që mori, ai tha se qershia mbi tortë për të do të ishte nëse Liverpooli arrin ta fitojë ndeshjen e kësaj fundjave.

“Kam qenë një tifoz krenar i Liverpoolit që kur isha djalë i vogël dhe e kam mbështetur klubin në kohët e mira e të këqija. Jam shumë i lumtur që do të kem mundësi ta shoh ndeshjen drejtpërdrejt këtë fundjavë. Qershia mbi tortë për mua do të ishte po të fitonim”, ka thënë Sheridani.