Ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, ka bërë të ditur se ai mund të largohet nga të kaltrit në fund të sezonit, nëse nuk e rinovon kontratën e tij deri më atëherë. Por, ka bërë të ditur se ai nuk do të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që e konsideron një gjë të tillë të padrejtë. Spekulimet se Hazard do të transferohet në Real Madrid nuk kanë përfunduar as pas përfundimit të afatit kalimtar të verës. Këto spekulime shpeshherë i ka nxitur vetë belgu me deklaratat e tij, ku thoshte se ëndërron të jetë lojtar i “Los Blancos”, transmeton Gazeta Express.

Kontrata e Hazardit me Chelsean është e vlefshme deri në vitin 2020, mirëpo tani që është afruar afati kalimtar i janarit, kanë filluar të intensifikohen edhe më shumë spekulimet për të ardhmen e lojtarëve të ndryshëm. “Tani për tani, jam duke qëndruar në Chelsea. Kam edhe një vit kohë në kontratën time në qershor. Nëse nuk e rinovoj kontratën, atëherë është e mundur [të largohem]”, ka thënë Hazard për Canal+.

“Nuk mund ta shoh veten duke u largua nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të janarit. Nuk do t’ia bëja kurrë një gjë të tillë klubit, e as tifozëve”. “Afatin kalimtar të verës së ardhshme, është e mundur [të largohem], por është e mundur edhe që ta kaloj të gjithë pjesën tjetër të karrierës sime si futbollist në Chelsea”.