Mesfushori i Chelseat, Eden Hazard, ishte njëri nga golashënuesit në ndeshjen e djeshme të Chelseat kundër Bournemouth dhe, pas ndeshjes, tha se është duke e shijuar futbollin në Chelsea.
Belgu është inkuadruar në sezonin e ri të Premierligës dalëngadalë nga trajneri i tij i ri, Maurizio Sarri, pasi që e kishte ndihmuar Kombëtaren e Belgjikës ta fitojë medaljen e bronztë këtë verë, duke përfunduar në pozitën e tretë të Kupës së Botës në Rusi, përcjell Gazeta Express.

Kjo strategji e Sarrit ka rezultuar të jetë e suksesshme, dhe 26-vjeçari tanimë ka arritur t’i shënojë dy gola dhe t’i bëjë dy asiste për vetëm katër ndeshje me skuadrën e tij. Për më tepër, ai nuk kishte qenë startues në dy ndeshjet e para, pasi që kishte qenë në pushim pas Kupës së Botës deri vonë.

Gjatë këtij afati kalimtar, por edhe më herët, spekulohej se Hazardi do të transferohej në Real Madrid. Shpeshherë kishte qenë vetë belgu ai i cili i kishte nxitur këto spekulime me deklarata të tij, si ajo në korrik, kur kishte thënë se nëse Real Madridi e dëshironin atë, atëherë ata e dinë se ku ta kërkojnë.

Megjithatë, afati kalimtar tanimë është mbyllur dhe Hazardi i ka qëndruar besnik skuadrës së tij. Tani, ai ka thënë se është duke e shijuar futbollin këtu dhe se është i gatshëm për secilën sfidë me të cilën do të përballen.

“Ndihem me shumë vetëbesim, jam duke e shijuar futbollin tim këtu. Ne kemi trajner të ri dhe shumë lojtarë të mirë”, ka thënë Hazard.

“E di se kur unë luaj mirë, atëherë edhe skuadra luan më mirë, kështu që unë duhet të jem gati për gjithçka. Sezoni është i gjatë, por ne do të luftojmë deri në fund, dhe do të vazhdojmë të përmirësohemi”.