Pep Guardiola u pyet nëse ai mund të konsiderohet njëri ndër trajnerët më të mirë të të gjitha kohëve edhe pse nuk e ka fituar titullin e Ligës së Kampionëve pa Xavi, Andres Iniestan e Lionel Messin. Para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Schalkes, në kuadër të 1/8 të finales, trajneri i Manchester Cityt, Guardiola, u pyet për aftësitë e tij dhe vlerësimet që iu bëhen atij.

Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes, një gazetar e pyeti: “Çfarë do t’u thoni njerëzve që pretendojnë se ti nuk e ke fituar Ligën e Kampionëve pas Barcelonës sepse nuk e ke Messin, Xavin e Iniestan?”. Kjo pyetje diskutohet mjaft shumë nga analistët dhe tifozët e futbollit, mirëpo përgjigja e Guardiolës ishte mjaft habitëse. Trajneri spanjoll u pajtua me mendimin e kritikëve të tij. “Pajtohem plotësisht me ta. Pajtohem plotësisht! Nuk do të vija dyshim mbi këtë gjë për asnjë sekondë sepse kur isha atje [në Barcelonë], gjithmonë kam thënë se kishte lojtarë të shkëlqyeshëm”, ka thënë Guardiola.

“Unë bëra punë të mirë edhe me Bayern Munichun dhe Manchester Cityn, por në Barcelona pata jashtëzakonisht shumë fat. Më vjen keq, kam pasur fat. Pajtohem plotësisht me ta”. Guardiola e ka fituar dy herë titullin e Ligës së Kampionëve. Që të këta tituj, ai i fitoi gjatë kohës sa ishte trajner i Barcelonës, ku në skuadër kishte lojtarë si Xavi, Iniesta e Messi. Këtë sukses ai nuk e ka arritur te dy klubet që shkoi pasi u largua nga katalonasit, Bayernin dhe Manchester Cityn.