Roma ka bërë të ditur se e ka emëruar Paulo Fonseca në pozitën e trajnerit përmes llogarisë zyrtare në rrjetin social Twitter, pasi Cluadio Ranieri u largua nga kjo pozitë. 46-vjeçari Paulo Fonseca ka pranuar t’i drejtojë verdhekuqët për dy sezonet e ardhshme, ndërsa në kontratën e tij me klubin është edhe një opsion për ta zgjatur edhe për një vit tjetër, deri në verën e vitit 2022. Claudio Ranieri e kreu detyrën e trajnerit të Romës nga 8 marsi i këtij viti deri në fund të sezonit, mirëpo kontrata e tij ishte vetëm për sezonin 2018.19, derisa Roma ta gjente një trajner tjetër afatgjatë.

“Jemi të kënaqur ta ftojmë Paulo Foncesan në klub. Paulo është një trajner i ri dhe ambicioz me përvojë ndërkombëtare, mentalitet fitues dhe reputacion për futbollit të guximshëm e sulmues që do t’i emocionojë tifozët tanë”, ka thënë presidenti i Romës, Jim Pallotta. Foncesa, me prejardhje nga Portugalia, i bashkohet Romës nga Shakhtar Donetsk, ku ai i kishte fituar titujt e ligës dhe kupës në të tri sezonet me klubin ukrainas. Ai e fitoi edhe Superkupën e Ukrainës në vitin 2017.

“Jam shumë i kënaqur që jam trajneri i ri i Romës. Dëshiroj ta falënderoj stafin menaxherial të klub për mundësinë që ma kanë dhënë. Jam i emocionuar dhe i motivuar nga detyra që e kam para vetes”.