19-vjeçari Matthijs de Ligt është transferuar te kampioni i Serisë A, pasi që sezonin e kaluar u bë njëri ndër mbrojtësit më të vlerësuar në Evropë. Kompletimin e transferimit të tij e konfirmoi faqja zyrtare e Ajaxit, ish-klubit të De Ligtit. Juventusi e ka kompletuar transferimin e qendërmbrojtësit Matthijs de Ligtit për 75 milionë euro nga Ajaxi, transmeton Gazeta Express.

De Ligti arriti marrëveshje personale me Juventusin javën e kaluar. Sipas marrëveshjes, ai do të paguhet 12 milionë euro për sezon – tetë milionë euro pagë dhe katër milionë euro në formë të bonuseve. Tani, 19-vjeçari e ka kompletuar transferimin e tij në Juventus, të cilët u detyruan të hynin në një garë të zjarrtë me klubet më të mëdha evropiane për holandezin, përfshirë këtu Barcelonën, Manchester Unitedin e Paris Saint-Germainin.

Menaxheri i De Ligtit, Mino Raiola, pretendon se futbollisti e kishte një marrëveshje me Ajaxin që të mund të largohet gjatë këtij afati kalimtar të verës nëse kishte ndonjë ofertë të përshtatshme për të. Pasi Ajaxi dhe Juventusi negociuan për një kohë të gjatë për çmimin e De Ligtit, kampioni holandez më në fund e pranoi ofertën e gjigantit italian. Përveç 75 milionë eurove që do t’i paguhen menjëherë, Ajaxi do të mundë t’i marrë edhe pesë milionë euro të tjera në formë të bonuseve.

De Ligti arriti në Torino të martën dhe i kaloi testet mjekësore të mërkurën, para se të kompletohej transferimi i tij. Pas konfirmimit nga Ajaxi, së shpejti pritet të dalë edhe Juventus me një prezantim për holandezin. Holandezi u bë njëri ndër mbrojtësit më të vlerësuar në botën e futbollit që kur e bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Ajaxit, në vitin 2016.

Sezonin e kaluar, ai e ndihmoi Ajaxin të arrijë deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e tij pësoi disfatë në momentet e fundit kundër Tottenhamit. De Ligti i bëri 55 paraqitje në të gjitha garat gjatë sezonit 2018/19, duke i shënuar shtatë gola dhe duke i ndihmuar skuadrës së tij t’i fitojë dy trofetë vendore – ligën dhe kupën.

Adoleshenti është bërë i rregullt edhe në ekipin kombëtar. Ai tashmë i ka regjistruar 17 paraqitje për ekipin e parë të Holandës, që kur e bëri debutimin në vitin 2017. Për Juventusin, De Ligti është lojtari i shtatë i transferuar gjatë këtij afati kalimtar të verës. Kampioni italian është duke e rindërtuar skuadrën në tentim për ta fituar titullin e parë të Ligës së Kampionëve që nga sezoni 1995/96.

Adrien Rabiot, Aaron Ramsey dhe Gianluigi Buffon kanë ardhur në Juventus si transferime të lira, ndërsa Luca Pellegrini u ble nga Roma, Merih Demiral erdhi nga Sassuolo dhe Cristian Romero u transferua nga Genoa. Juventusi e ka fituar titullin e Serisë A gjatë tetë vjetëve të fundit, mirëpo në sezonin 2019/20 do të tentojnë t’i japin fund ecurisë së dobët në Evropë, me anë të ndihmës edhe nga trajneri i ri, Maurizio Sarri.

Sarri u soll nga Chelsea pasi Massimiliano Allegri i ndau rrugët me klubin italian në maj, pas pesë vjetëve në pozitën e trajnerit të Juventusit. E ardhmja e Allegrit ishte vënë në dyshim pasi Juventusi ishte eliminuar nga Ajaxi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kur De Ligti e kishte shënuar pikërisht golin që e kishte kualifikuar klubin holandez.