Nga Bledi Lumani

Fjalimi i Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve ishte nga fillimi në fund politik, dhe jo ligjor e kushtetuese, dhe vetëm në disa raste përmendi disa nene, të cilat, sipas tij, i japin të drejtë të shtyjë zgjedhjet.

Argumenti kryesor i Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, ishte shmangia e një përplasje civile dhe gjetja e një zgjidhje politike mes mazhorancës dhe opozitës, pasi sipas tij, nuk mund të bëhen zgjedhje pa opozitën.

Por, Meta “harron” një gjë: Opozita nuk ka kërkuar asnjëherë shtyrjen e zgjedhjeve dhe gjetjen e një zgjidhje politike për situatën.

Ajo ka vetëm një kërkesë: Largimin e Edi Ramës.

Kjo është kërkesa e vetme e opozitës, për të marrë pjesë në zgjedhje.

Lulzim Basha me Monika Kryemadhin e kanë bërë të qartë, që nuk kanë ndërmend të ulen për të gjetur një zgjidhje, nëse Rama nuk largohet si kryeministër, dhe nuk do të marrin pjesë në asnjë palë zgjedhje.

Atëherë për çfarë shërben akti joligjor i Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve?

Ai jo vetëm nuk zgjidh gjë, por e thellon edhe më tej krizën, pasi tashmë kemi një krizë të re, përveç asaj mazhorancë-opozitë, që me gjasë do të çojë në shkarkimin e presidentit, siç dhe u paralajmërua nga PS, menjehërë pas fjalimit të Metës.

Ndoshta ky ka qenë edhe qëllimi i vërtetë i Ilir Metës me vendimin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve, me shpresën se shkarkimi i tij do të degradojë edhe më tej krizën dhe institucionet e vendit dhe pse jo, do të ndezë më tej revoltën opozitare për rrëzimin e Ramës.

Ndryshe nga Basha e Kryemadhi, ai e ka transferuar krizën politike nga rruga, në institucione.

Në këtë rast duke vepruar jo si president, por si udhëheqës i opozitës.

Vetëm se me gjasë, shumë shpejt do t’i bashkohet Bashës dhe të shoqes në rrugë, këtë herë edhe zyrtarisht si opozitar, jo më si president.

Edhe pse kjo do të jetë e vështirë, duke parë mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetues, dhe nuk është çudi, që ai që thotë se ç’dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve për të shmangur një konflikt civil, të kthehet në ndezësin e fitilit të një përplasje, e cila ndryshe nga ’97-a që përmendet këto kohë, këtë radhë mund të marrë me vete frymëzuesit e saj.