Ka një vullnet të shtuar për të bërë nga dy tre emisione në ditë në çdo televizion me temë politikën dhe zhvillimet e përditshme të saj. Një fluks kaq i madh për të bërë emisione politike kur kemi 30 vite postkomunizëm, një sindrom i parapolitikës kjo, ka sjellë një emergjencë të fortë për moderatorë por dhe për panelistë. Duke “shetitur” ekran më ekran, dëgjojmë pyetjet nga më të çuditshme nga moderatorët dhe përgjigjiet akoma më të çuditshme nga panelistët e thirrur me emergjencë për të mbushur emisionin.

E bëra këtë hyrje të vogël për të treguar se politika ia ka arritur qëllimit, duke u hedhur shqiptarëve një “karrem” të tillë për të harruar hallet, duke i vënë ata në gjumë dhe duke u dhënë shqiptarëve trajtat e një tifozerie, në garë për debat dhe në rrjetet sociale. Dhe kur socialogu merret me politikë, kur të divorcuarit flasin për mbarëvajtjen e jetës bashkëshortore, kur beqari/e flet se si duhet rritur dhe edukuar një fëmijë, kur emigranti flet për projektin e madh të ndërtimit të jetës në Shqipëri, kur gazetari bën prokurorin, gjykatësin dhe anasjelltas etj., Shqipëria do të jetë tërësisht e shytur në llum, pa asnjë rrugëdalje.

Duke mbetur në kushtet e parapolitikës po vijmë tek qëllimi i vërtetë i këtij shkrimi, duke marrë në analizë “qëllimin e mirë” të zhdekretimit nga ana e Presidentit, të zgjedhjeve të 30 qershorit. Shumica e konstitucionalistëve janë shprehur se ky vendim i Metës është një shkelje e pastër e Kushtetutës në një republikë parlamentare, pasi Presidenti nuk mund të nxjerrë dekret kundër dekretit të vet, në mes të garës zgjedhore dhe jashtë afateve kushtetuese.

Por nuk po e marrim në analizë këtë fakt, pasi është debatuar gjatë dhe do të debatohet, ndërkohë që mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit, për shkelje të Kushtetutës. Po nisemi nga arsyetimi i Metës se vendimin për anulimin e zgjedhjeve pa caktuar një datë të re, duke marrë përsipër një risk kushtetues, e kishte bërë në kushtet kur vendi është në prag të një konflikti civil.

Pavarësisht se institucionet ligjzbatuese dhe të sigurisë në vend kanë mohuar faktin se fushata zgjedhore dhe vetë 30 qershori janë një mundësi për konflikt civil mes palëve politike, duke përgënjeshtuar Presidentin, ia vlen të pyesim: e qetësoi situatën zhdekretimi i Metës?! Përgjigjia jepet në “terren”, duke parë zhvillimet e të gjitha ditëve nga data e zhdekretimit. Jo vetëm që nuk është qetësuar situata, por opozita akoma më shumë ka marrë zemër, duke deklaruar hapur projektet për përdorimin e dhunës ndaj të gjithë atyre që votojnë.

Madje tashmë kanë kthyer sytë nga Meta, si nxitësi institucional i këtyre veprimeve të paligjshme, të cilin e shohin si drejtuesin ideal të opozitës, të cilin nuk e kanë pasur. Mjafton të shohim “qarkoren” e nxjerrë nga bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të PD, LSI dhe PDIU, për të parë që efekti i vendimit të Metës ka tensionuar më shumë situatën.

Krerët e këtyre bashkive kanë kërkuar largimin e komisioneve zgjedhore vendore nga territori i tyre, pasi ata njohin vetëm vendimin e Metës për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve. Madje Voltana Ademi, kryetare e bashkisë së Shkodrës ka filluar “operacionin” në terren, duke aktivizuar policinë bashkiake për ta kundërvënë ndaj asaj të shtetit, duke tentuar për dy ditë me radhë të bllokojë KZAZ-në e Shkodrës.

Të gjitha këto veprime të krerëve të bashkive të opozitës po ndërmerren me Metën në “gojë”, duke nënvizuar se nuk zbatojnë asnjë nen të Kushtetutës, por vetëm vendimin e Presidentit të ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo, ndaj që në fillim thamë se jemi në kushtet e një parapolitike të stërzgjatur. Vendimi i Metës nuk ka sjellë as tërheqjen e opozitës nga kushti për largimin e kryeministrit Rama, në mënyrë që të ulet në tryezë me mazhorancën apo për të vendosur hyrjen në zgjedhje.

Dhe këto hapa të Metës trimërojnë aq shumë dhe Bashën, sa të refuzojë vajtjen në prokurori për të dhënë dëshmi si i pandehur për një akuzë amerikane, të hetuar dhe të ardhur nga SHBA dhe që bën fjalë për lobimin me para ruse në këtë vend. Pikën më të lartë Presidenti e arriti dje me ambasadorët kur tha se nëse Rama nuk tërhiqet, është gati të nxjerrë ushtrinë për të ndaluar votimet më 30 qershor.

Një deklaratë kjo aspak dinjitoze për një kryetar shteti, aq më tepër antikushtetuese dhe që e thënë para ambasadorëve jo vetëm që hedh në erë tërë përpjekjen tonë për të thënë se jemi afër Europës por dhe i jep të drejtë mazhorancës në nismën e vet për ta shkarkuar Metën nga posti i Presidentit, përpara se të arrijë pikën më të ulët dhe të bëjë ndonjë budallallëk tjetër. Duke analizuar gjithë këto pasoja që ka sjellë vendimi i Metës për të anuluar 30 qershorin, jo vetëm që nuk është qetësuar situata, por është acaruar akoma më tej. Ndaj Metës dhe këshilltarëve të tij që e “udhëheqin” në këto shtigje të pashkelura antikushtetuese mund t’ju kujtojmë se, pavarësisht qëllimit të mirë, nuk “fiket” zjarri me benzine./M.Nikaj