Në 1 muaj, u morën masa për shkelje për 29 farmaci

Tiranë, 28 Mars – Me urdhër të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është zgjeruar Task-Forca e ushtrimit të kontrollit të barnave, duke përfshirë anëtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Fondi i Sigurimit të Detyrieshëm të Kujdesit Shëndetësor, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.

Zgjerimi i grupit të kontrollit të kësaj Task-Force ka për synim kontrollin në çdo farmaci të plotësimit të kushteve të ruajtjes dhe monitorimit të barnave, të kushteve higjieno-sanitare, kontrollin e barnave mbi pullën e sigurisë, kontrollin për tregtimin e barnave pa recetën e mjekut, etj.

Task Forca për barnat vetëm gjatë muajit të fundit ka kontrolluar 67 farmaci duke marrë masa për shkelje administrative për 29 prej tyre. Më konkretisht, u morën masa edhe për 15 farmaci që tregtonin barna në mungesë të recetave sipas klasifikimit, për 10 farmaci që jepnin barna pa recetë, 1 farmaci për tregtim të barnave spitalore, 1 farmaci për mungesë të farmacistit, 2 masa për ruajtjen dhe sigurinë e barnave.
Kujtojmë se Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Shtator 2018 ngriti Task Forcën për barnat, me një grup kontrolli të përbashkët të disa institucioneve, ku për herë të parë përfshihen dhe anëtarë nga Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë, për të kontrolluar çdo farmaci.