Më pak se dy javë përpara zgjedhjeve evropiane, Komisionerja e Drejtësisë e BE, Vera Jourová paralajmëroi për rrezikun e manipulimit të tyre sidomos nga Rusia. “Ne nuk duhet të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve të falsifikohen me anë të ndërhyrjeve qoftë edhe në një shtet të vetëm anëtar. Këto zgjedhje janë përcaktuese për Europën”, u tha Jourová gazetareve të Rrjetit Redaksional Gjermani (RND).

Për politikanen çeke, fushatat e organizuara të dezinformimit nga bota e jashtme synojnë të konstatojnë polarizimet në shoqëri dhe t’i intensifikojnë ato. “Kjo e bën të vështirë dallimin e tyre. Po përjetojmë një garë dixhitale armatimi, Europa duhet të përgatitet”, ka deklaruar ajo.

Komisionerja ka shpjeguar se ekziston një njësi e veçantë në Shërbimin e Jashtëm Europian, që zbulon dezinformime nga Rusia. I ashtuquajturi “Grupi i punës për komunikimin strategjik ndaj Lindjes“(East StratCom Task Force) ka për detyrë vlerësimin e medieve ruse dhe identifikimin e mesazheve të manipuluara edhe në publikime të tjera.

Lufta kundër fushatave të dezinformimit, sipas Jouraves, do të mbetet një çështje qendrore, “edhe pas zgjedhjeve europiane”. Komisioni europian është i shqetësuar prej muajsh nga gjasat që Rusia mund të ndërhyjë në veçanti me anë të të ashtuquajturve “bots sociale”, që do të thotë të krijojë automatikisht kontribute në këto rrjete.

Sipas ekspertëve, fushatat e dezinformimit mund të kenë ndikuar në debatin e referendumit para-Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në SHBA./DW