Ditën e sotme ka nisur shpërndarja e fletëve dhe kutive të votimit për 30 qershor nga KQZ-ja për në KZAZ-të. Deri më tani materialet zgjedhore janë shpërndarë në qytetin e Vlorës, Fierit, Krujës dhe Elbasanit. Shqiptarja.com mëson se në qytetin e Krujës dhe në qytetin e Fierit fletët e votimit kanë nisur shpërndarjen që ditën e shtunë. Ndërkohë që pritet të shpërndahen në të gjitha qendrat e KZAZ-ve në qarqet e vendit. Procesi transportimit të bazës materiale zgjedhore logjistike për t’u shpërndarë nga KQZ në çdo KZAZ do të kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Në Shqipëri kanë ardhur 3 606 815 fletë votimi. Fletët për kryebashkiakë dhe këshilltarë u prodhuan nga kompania Cetis në Slloveni me kosto 60 milion lekë. Kjo procedurë vjen në një moment mjaftë të tensionuar, ku opozita e vendit vijojnë të paralajmëroi se do të pengojë me çdo kusht zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa edhe presidenti Meta ka deklaruar se dekreti i tij për shfuqizimin e zgjedhjeve është në fuqi dhe data e zgjedhjeve është e pavlefshme.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare sulmuan dhe dogjën zyrat ku ishin vendosur KZAZ-të. Përballë këtyre zyrave që ishin në pronësi të bashkive të drejtuara nga partitë opozitare pati përplasje mes policisë dhe militantëve të PD e LSI, që më pas sollën arrestime të shumta, kryesisht të drejtuesve në strukturat e PD në bashkitë përkatëse.