Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e zbritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për pagesat që kryhen në formë elektronike. Duke pasur parasysh situatën aktuale të dominimit të parasë fizike, sidomos për pagesat utilitare, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave sugjeron incentiva për rritur pagesat jo-cash, një nga të cilat mund të jetë edhe ulja e TVSH-së për pagesat që kryhen me internet banking apo me karta.

Sipas Strategjisë së Pagesave me Vlerë të Vogël, faturuesit e mëdhenj dhe operatorët e sistemit të transportit publik do të bashkëpunojnë në nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, të cilat mund të zvogëlojnë shpenzimet e tyre të arkëtimit. Faturuesit do të shqyrtojnë zbritje ose stimuj të tjerë, nëse faturat shlyhen përmes debitimit direkt apo e-banking. Kompanitë e shërbimeve utilitare duhet të kryejnë fushata edukimi për klientët e tyre, punonjësit dhe autoritetet lokale, për të sqaruar se faturat e paguara në rrugë elektronike janë ligjërisht të vlefshme dhe për këtë arsye nuk kërkohet dëshmi në letër. Strategjia nxit futjen e mjeteve të pagesave elektronike në sistemin e transportit.

Në momentin që pagesat elektronike pranohen prej tyre, operatorët e sistemit të transportit urban do të shqyrtojnë mundësinë e ofrimit të zbritjeve për përdoruesit që paguajnë rregullisht në mënyrë elektronike. Në vendet e zhvilluara, shumica e mekanizmave të pagesave të përdorura për sistemet e transportit janë me parapagesë. Për të nxitur pagesat jo- cash, do të zgjerohet numri dhe shumëllojshmëria e shërbimeve publike dhe pagesave të tjera që mund të paguhen online nëpërmjet portalit e-Albania.