Nga Flogert Muça/

Historia e Xhisiela Malokut nga Nikla e Fushë-Krujës ka marrë vëmendjen kryesore në media prej një jave. Opinioni publik është bashkuar me dhimbjen e saj, institucionet gjithashtu. Sot jemi në kushtet që kemi dhunuesin e pretenduar nga Maloku prapa hekurave. Çështja është nën hetim dhe policia edhe pse viktima nuk e ka kërkuar, e ka vënë nën mbrojtje. Historia e saj siç mund të jetë edhe grave e vajzave të tjera në Shqipëri e botë, meriton patjetër një debat publik, për të dënuar këtë fenomen të tmerrshëm shoqëror dhe sensibilizuar mbarë shoqërinë që dhunën të mos e shohin si mjet për të zgjidhur debatet apo sherret.

Por, përtej historisë  cila ka marrë të gjithë vëmendjen e merituar, ajo që ka dalë në pah si asnjëherë më parë është pashpirtësia politike në shfrytëzimin e rasteve të tilla. Po t’i hedhësh një sy kronologjisë së trajtimit të çështjes nga opozita vë re se kjo e fundit nuk e kishte fare në llogarinë e saj viktimën Xhisiela Maloku. Ajo që opozita kishte si kryefjalë ishte ndërhyrja sipas saj e Taulant Ballës, që agresori të mos arrestohej. Edhe pse  për këtë pretendim nuk kishte asnjë provë veç dëshmisë së një ish-oficeri që kishte braktisur detyrën për të marrë azil politik, opozita sërish nuk shqitej nga sulmet politike, duke përdorur dhimbjen e një vajze për kapital politik. Njëlloj si me rastin e Babales, Partia Demokratike inskenoi një lojë komunikimi duke tentuar të ngrejë ciklon në një gotë uji.

Pasi Taulant Balla i paditi skenaristët e lojës politike duke dhënë njëherësh edhe faktet se në datë 21 korrik ai nuk ishte në Fushë-Krujë por në Pogradec, opozita e mbylli sulmin ndaj tij duke u hedhur në një tjetër degë. Sapo kuptoi se loja me ish-oficerin dhe dëshminë e tij absurde dhe kontradiktore mbaroi dhe u dekonspirua, kaloi në krahun tjetër, atë të vajtimit për viktimën.

Pyetjet që lindin janë:

Si mund ta besojë qytetari  një opozitë që hedh  akuza aq të rënda dhe kur ato dekonsirohen si të pavërteta, kalon në një akuzë tjetër duke mos mbajtur minimumin e përgjegjësisë për të parën?

Po për sulmet ndaj Taulant Ballës (apo kushdo qoftë ai/ajo që sulmohet me pa të drejtë) a mban përgjegjësi Partia Demokratike?

Ky është problemi i madh i Partisë Demokratike dhe opozitës në Tiranë, e cila jo vetëm që nuk ka takat të ngrejë një kauzë reale, por edhe kur akuzon flet aq përçart sa i kthehet gjithçka mbrapsht duke u bërë më të pabesueshme nga ç’ishte në rastin Babale.

Një opozitë e cila vë politikën përpara njerëzve dhe më pas nuk mban përgjegjësi për asgjë që nxjerr nga goja është një opozitë fallco e cila jo vetëm që nuk besohet nga qytetarët, por i bën një dëm të madh edhe atyre që përdor për politikën e ditës.

Në fund të gjithë historisë kemi dy elementë që duhen diskutuar. E para padiskutim që është elementi social i nxjerrë si konkluzion.  Shqipëria si shoqëri dhe si shtet duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur gratë nga dhuna. Ndërsa elementi i dytë është politik, ku opozita si aktore e vetme e një telefilmi që inskenoi, në fund tregoi se rëndësinë kryesore e ka politika dhe jo njerëzit dhe se në finale ajo nuk mban përgjegjësi për asgjë që thotë e bën./LEXO.AL