Ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka argumentuar vendimin e presidentit Ilir Meta lidhur me ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve.

Nga foltorja e Kuvendit, ish kreu i komisionit të Ligjeve e ka konsideruar këtë akt si një tejkalim kompetencash nga ana e kreut të shtetit i cili sipas tij po acaron edhe më tej krizën.

“Duket se shumica dërrmuese bie dakord me një gjë. Presidenti ka ushtruar një kompetencë që Kushtetuta nuk ia jep. Presidenti si dhe qeveria nuk kanë asnjë përgjegjësi për administrimin e procesit ligjor.

Presidenti me këtë ndërhyrje humbet çdo lloj vlerfshmërie dhe për rrjedhojë kreu i shtetit nuk e meriton të jetë më në atë zyrë.

Jo vetëm që vendimi është tejkalim i kushtetueses, por nxit edhe debate të mëtejshme. E vërteta është se kemi një përplasje mes shtetit dhe antishtetit, mes parlamentarizmit dhe rrugëve të tjera antiligjore.

Shqiptarët duan shtetin e së drejtës. Opozita jashtë çdo lloj norme ka lënë mandatet dhe ka dalë në rrugë. Kjo opozitë ka dalë jashtë sistemit parlamentar dhe kërkon që të imponohet me forcë dhe dhunë. Opozita kërkon të nxisë krizë, por në fakt ka krizë të brendshme”, tha Xhafaj.

Ndërkohë, ai është ndalur edhe te akuzat e hedhura ndaj Reformës në Drejtësi për të cilën ka thënë se është në rrugën e duhur dhe se çdo alibi e ngritur nga opozita për kapjen e saj, është panik për të nesërmen.

Ai kritikoi kryedemokratin Lulzim Basha, duke thënë se nëse drejtësia nuk do të ishte e kapur, ai do të ishte në burg për së paku 3 vepra penale.

“Në krye të PD është një njeri që gënjen edhe për orën e dorës, një njeri që ka bërë pis zgjedhjet kudo ku është përfshirë. Basha është një njeri në hetim këtu dhe në SHBA.

Si mund të imponohet Basha, një njeri që kërkon të vijë në pushtet me dhunë.

Ky njeri flet për kapje të drejtësisë, që ishte i kapur kokë e këmbë. Nëse nuk do të ishte kapur drejtësia, Basha do të ishte sot në burg për tre akuza të rënda, për detin, pastrim parash dhe vrasje të kryer me dashje”, u shpreh ai.

Si ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm për ngritjen e kësaj reforme, Xhafaj tha se beson se ajo do të implementohet siç duhet dhe se do të ketë rezultate konkrete.

“Drejtësia ende është e kapur, sepse përndryshe Basha do të burgosej, për gjithçka ka bërë. Një gjë është fakt: Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur. Opozita ka vetëm alibi politike, paranoja dhe frikë për të nesërmen. Ka paranoja djathtas dhe majtas. Do të ketë një drejtësi të re në shërbim të qytetarëve të vendit”, vlerësoi Xhafaj.