Willian beson se bashkëlojtari i tij, Eden Hazard, do të qëndrojë në Chelsea edhe pas këtij sezoni, përkundër interesimit të vazhdueshëm nga Real Madridi për ta transferuar belgun. Ylli belg ka qenë i lidhur me një transferim në kryeqytetin spanjoll vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Madje, në tetor, Hazardi e kishte pranuar se ai ëndërron të luajë për “Los Blancos” një ditë.

Real Madridi e ka intensifikuar interesimin për Hazardin këtë javë, pas kthimit të Zinedine Zidane në pozitën e trajnerit. Të mërkurën u raportua se Real Madridi e kishte kontaktuar Chelsean për ta njoftuar për këtë interesim. Para ndeshjes të së enjtes në Evropa Ligë, kundër Dynamo Kyivit, anësori i Chelseat, Willian, u pyet nga gazetarët nëse ai është i shqetësuar për një largim të mundshëm të Hazardit këtë verë.

Braziliani u përgjigj duke e lavdëruar bashkëlojtarin e tij për aftësitë e tij unike në fushë, para se të insistonte se belgu nuk ka folur asnjëherë për mundësinë e transferimit në Real Madrid. “Është një pyetje e vështirë. Pikë së pari, shpresoj se ai do të qëndrojë me ne. Por, në futboll nuk mund ta parashikosh kurrë se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Willian.

“Natyrisht, Eden është një lojtar fantastik, njëri ndër më të mirët në botë. Ai është shoku im, njëri ndër lojtarët më të mirë me të cilët kam luajtur në të gjithë karrierën time. Unë vetëm duhet të them se shpresoj që ai do të qëndrojë me në”. “Nuk kam asnjë dyshim që ai është i përqendruar këtu. Natyrisht, ai dëshiron të luajë, dëshiron të na ndihmojë të fitojmë diçka këtë sezon. Ai kurrë nuk ka thënë asgjë për Real Madridin apo për diçka tjetër. Ai vetëm dëshiron të vazhdojë të luajë për Chelsean”.