Intervistë me regjisorin dhe shkrimtarin Pëllumb Kulla me gazetën TemA

Zoti Kulla. Pas kaq vitesh ndërperje, jeni rikthyer në RTSH për të bërë Koncertin tradicional të Vitit të Ri . Në çfarë rrethanash e keni marrë këtë vendim?

Përgjigje: Fare papritur. Erdha në atdhe për ca angazhime të tjera dhe befas, në një takim të rastit, Drejtori i Përgjithshëm, z Thoma Gëllçi, më propozoi këtë ngarkesë. Ai më tha se e pat menduar gjatë dhe ishte duke ma nisur ftesën drejt Floridas, ku unë banoj tani. Ishte një kërkesë që më nderonte dhe më rëndonte paksa.

– Përse mendoni kështu?

Përgjigje: Ishte e natyrshme që vinte si vlerësim për një përvojën time në kanalin e vetëm të dikurshëm televiziv dhe që vazhdon e quhet përvojë e suksesshme. Por kjo e bënte më të vështirë misionin. Kohët kanë ndryshuar, vështirësitë janë ndryshe, shijet e publikut gjithashtu…

– Do të jetë i bukur Koncerti? Mendoni se ia keni dalë me sukses?

Përgjigje: A do të më lejosh, i dashur Mero të ta jap këtë përgjigje të martën që vjen?

– Pse ju…

Përgjigje: Sa mirë do të ishte, o Mero, sikur të më drejtoheshe me “ti”!

-Ke nevojë të presësh përshtypjet e publikut? Ti vetë, a nuk ke ndonjë mendim për programin që na thonë se është gati të shtrohet me mezetë e festës?

Përgjigje: Natyrisht që kam. Jam fort i kënaqur. Koncerti ynë titullohet TOK – TOK – 2019. Dhe shpaloset me shkëlqim në darkën e fundit të vitit. Më të mirë nuk e bëja dot. Por them gjithashtu se nuk ka rëndësi se ç’mendoj unë për të.

– A nuk e ndjen se humori, që i imponohet sot publikut është i ndryshëm nga ai i viteve të komunizmit? Sa e rrezikon punën e një regjisori profesionist kjo?

Përgjigje: E ndjej… Nuk është se rrezikon shumë, regjisori. Mbase më shumë se rrezik, është një test interesant për atë vetë. Një sfidë.

– Çfarë ke përzgjedhur për natën e Vitit të Ri? Cfarë raporti ka mes humorit, ta quajmë historik dhe atij të ri, me subjekte nga tranzicioni?

Përgjigje: Unë dhe bashkëpunëtorët e talentuar që thirra pranë vetes kemi bërë tok një meny të larmë. Kam një ndjenjë të këndshme, Mero, sikur po dal nga një muze… Dhe përgjigjem: Humori është i njëjtë. I kohës ishte atëherë, i kohës është edhe këtë herë. Ndryshimi qe se maja goditëse, atëherë, nuk mund të ngrihej dot aqë lart, kurse sot ngrihet lart lehtë. Bile disa e ulin kollaj dhe me endje, deri aty ku nuk mban më.

– Nuk ke frikë se Koncerti tradicional i Vitit të Ri, është një traditë që mund të mos i rezistojë më kohës? Televizionet e tjera e kanë zhbërë këtë traditë, përfshi dhe RTSH, për shumë vite.

Përgjigje: Them se i reziston. Viti i Ri vazhdon të vijë edhe tani pas treqind e gjashtëdhjetë e ca ditëve dhe është i magjishëm qëkurse janë bërë kaqë mijëra. Darka është po aq e magjishme, ashtuy si dekoret, gazi, të qeshurat… Gaztorët përsëri kanë vendin e tyre.

-Si e shikon gjendjen e krijimtarisë së humorit sot në Shqipëri?

Përgjigje: Po më duket si ai sporti me skuadrat që angazhoheshin në tërheqjen e skajeve të litarit. Masa e gjërë me shije të ulët ndeshet me artistët e humorit në tërheqje litari. Dhe mjerisht duket në fitim e sipër. Ne duhet të bënim tifo për të kundërtën. Në favor të shijes së ulët bën tifo, paraja, fitimi, pasurimi, biznesmenët milionerë të bërë të tilë sa hap e mbyll sytë, që hapin përditë kanale televizivë dhe falë nivelit të mjeruar kulturor të këtyre bosëve, banaliteti asfikson. Nuk mund të presësh nga këta bosa të florinjtë të shqetësohen për nevojat e estetikës dhe të artit të vërtetë. Mjerisht edhe institucionet shtetërore nuk e prishin gjumin për këtë. Kritika zyrtare është në letargji. Ministria e Kulturës ka tridhjetë vjet që fle. Citoj veten me një përgjigje pas një pyetje të tillë: “Kur shoh shumicën e shfaqjeve, shout e panumërt, fjalorin e neveritshëm, kam nostalgji për censurën.”

– Ku qëndron problemi sipas teje, tek autorët e teksteve apo aktorët?

Përgjigje: Unë ve re që përreth ne kemi mjaft aktorë të shkëlqyer, me aftësira të mahnitshme, por ka shumë skarcitete. Nevojat e bosëve janë të papërballueshme. Kanalet përcjellin ujëra të turbullta dhe të pista.

– Çfarë rreziqesh krijuese ka për një shkrimtar të humorit sot?

Përgjigje: Nuk ka asnjë rrezik për ta. Veç infektimit në epideminë e banalitetit.

– Ka një lulzim të programeve me humor në ekrane, që në fakt rendin pas një humori siperfaqësor. Fjala vjen nxitojnë pas së qeshurës nga shaka të çastit, gjeste, truke momenti. Ka shumë pak humor që të bën të qeshësh dhe të mendosh pas të qeshurës. Ku është problemi?

Përgjigje: Problemi janë filtrat e shqyer, për të cilët folëm më lart. Janë autorë anonimë, pa kulturën minimale. Është një ushtri aktorucësh që nxitojnë pa tjetër të venë në grazhdet javore të bosave të florinjtë.

– Ti jeton në SHBA dhe atje ekziston dhe është e zhvilluar kultura e komedive televizive qoftë dhe të tipit “Uan man shou”. A ka shanse kjo lloj shfaqje në Shqipëri?

Përgjigje: Ky lloj zhanri ka pasur jetë që prej shumë dhjetëvjeçarësh në skenat tona. Janë një lloj analistësh hokatarë që dalin “tu-per tu” “fejsë tu fejsë”, shqip “syndërsy” me publikun, për mijërat e problemeve të përditshme dhe “qajnë me oi” pa kostume të rënda dhe dekore pas. Në një shfaqje estrade ne kishim dy tre takime të tilla, vecse ishin të shkurtër.

– Ke plane të tjera, pas kësaj, në TVSH?

Përgjigje: Për Kocertin TOK –TOK – 2019 përgjigja jepet të martën që vjen. Për plane të tjera, cat ë marta më pas! Nuk më mbetet veç t’i them stafit dhe lexuesve të TEMAs: Gëzuar Vitin e Ri!!