Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga një vit burg dy të rinj, të cilët në janar të këtij viti kanë vjedhur një endacak. Bëhet fjalë për dy shtetasit H.E. dhe T.L., të cilët janë dënuar me nga 1 vit burg për “vjedhje”.
I dëmtuari është një endacak i identifikuar si D. Hoxha. Ngjarja ka ndodhur më 19 janar të këtij viti, ndërsa vendimi i siguruar edhe nga “Panorama” është dhënë së fundmi. Sipas dosjes, shtetasi D. Hoxha ka kallëzuar se më 19 janar 2018, rreth orës 03:45, ka qenë në një parking nëntokësor në qendër të Tiranës dhe duke qenë se është endacak, ka gjetur një vend për të fjetur duke u futur poshtë në parking.Sapo ka gjetur vendin, në një interval kohore nga ora 03:45 deri në orën 04:30 min, që kallëzuesin e ka zënë gjumi, të pandehurit, në bashkëpunim, e kanë shfrytëzuar këtë interval kohe duke i vjedhur kallëzuesit aparatin celular të markës “Akros F28” si dhe rreth 4,000 mijë lekë, të cilat i kishte brenda në xhepin e brendshëm të xhupit të tij. Kallëzuesit i ka dalë gjumi, teksa ishte vjedhur dhe ka parë dy shtetas që largoheshin me shpejtësi.

Ai është vënë në ndjekje të tyre dhe ka konstatuar se të dy të pandehurit po largoheshin në drejtim të rr. “Ibrahim Rrugova”, ku në këto kushte ka njoftuar Policinë, duke i vënë dijeni për ngjarjen, si dhe duke përshkruar autorët. Pas marrjes së kallëzimit është bërë e mundur të zbulohen dhe të identifikohen autorët e këtyre veprave penale. Kapja e tyre është bërë në një lokal në “Rrugën e Kavajës”.

I pandehuri H.E. nuk ka pranuar fillimisht autorësinë e vjedhjes, por më pas, në prezencë të avokatit mbrojtës, e ka pranuar duke shpjeguar se vjedhjen e ka bërë në bashkëpunimin me pandehurin T.L.

Ai ka treguar gjithashtu përpara dhe vendin ku kishin fshehur aparatin celular. T.L. ka mohuar të ketë qenë pjesëmarrës në vjedhje, megjithatë, nga kamerat e sigurisë është bërë i mundur edhe identifikimi i tij.

Ai madje ka fshehur celularin e viktimës së vjedhjes në një tualet të një lokali në Tiranë. Të dy të pandehurit shfaqën pendesë për krimin e bërë, megjithatë, në përfundim të gjykimit, Gjykata e Tiranës vendosi që t’i dënojë ata me nga 1 vit burgim për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Ky rast është i paprecedentë, që dy të rinj vjedhin nga një i pastrehë. Gjykata vendosi edhe që telefoni t’i kthehej viktimës së veprës penale./PANORAMA/j.j