Violonçelisti Vlorent Xhafaj rrëfen udhëtimin e tij artistik me “Different trains festival”. Në këtë sezon sjell për publikun shqiptar disa nga artistët më në zë, si Tedi Papavrami apo Enxhi Nini. Sonte në mbrëmje koncert tek ArTurbina. 

Anila Dedaj

Në Shqipëri koncertet e tij, janë më të shpeshta krahasuar dhe me artistët që jetojnë këtu. Pasi, pavarësisht problematikave, ai e konsideron këtë vend, si “katedralen” e tij. Vlorent Xhafaj vijon rrugëtimin për të sjellë muzikë të mirë përmes “Different trains festival”. Është viti i 8-të i këtij eventi, dhe ai pavarësisht vështirësive ligjore, sallave në kushte jo të favorshme, mungesës së një pianoje cilësore për koncertet, rrëfen se nuk do të heqë dorë nga misioni i tij. “Nuk do ta ndryshoja asnjëherë këtë rrugë kaq të vështirë, me asnjë post publik, sado i lartë në fushën artistike. Është e vërtetë se kjo është rruga më e vështirë, por brenda ka elementin më të rëndësishëm për të bërë art cilësor. Ka lirinë”, tregon ai për “Shekulli”-n.

Kësaj here violonçelisti sjell në Tiranë disa nga instrumentistët më në zë shqiptarë, si Tedi Papavrami, Enxhi Nini, Arben Spahiu dhe Liza Soppi. Tregon se pjesëmarrja e tyre në këtë stad të Festivalit, vjen në mënyrë të natyrshme dhe tanimë kanë mbetur shumë pak emra të njohur në botë që nuk i janë bashkuar ende.

Është pasioni i tij i jashtëzakonshëm për muzikën, entuziazmi që ofron, çka krijon besim edhe tek instrumentistë të njohur, për t’u bërë pjesë e kësaj “aventure”. Kështu në këtë sezon pranveror, tinguj cilësor do të vijnë nga Marie Viard, Olivier Roth, Alexander Somov dhe pianisti Francois FredericGuy. Udhëtimi muzikor i “Festivalit ndryshe” nis këtë mbrëmje (ora.19.00) në ArTurbina dhe hyrja do të jetë e lirë.

Vlorent, një tjetër sezon i “Different trains festival” të rikthen në Shqipëri. Cilat janë risit në këtë sezon?

Është gjithmonë kënaqësi që të fillojmë një rrugëtim të ri, të koncerteve dhe të muzikës. Tani është sezoni i pranverës. Prej katër vitesh ne e kemi ndarë në disa periudha festivalin, për të qenë prezent gjatë gjithë vitit. Nuk ka më tepër koncerte, por më shumë hapësirë edhe artistë që marrin pjesë. E fillojmë koncertin e parë sot në orën 19:00 në ArTurbina me një ansambël violonçelash, që është edhe instrumenti im. (Marrin pjesë violonçelistët; Olivier Roth, Alexander Somov, Marie Viard dheVlorent Xhafaj). Është diçka që nuk e kemi bërë më parë, pasi u jemi përmbajtur më tepër formacioneve klasike. Ndërsa, tani kemi një program vetëm me violonçelistë, solistë të orkestrave franceze.  Një program mjaft i pasur, ku do të ketë muzikë baroke, klasike, romantike, deri tek tingujt e shekullit të XX-të me muzikën spanjolle të Albeniz. Nuk do të mungojë as muzika tango apo ritmet xhaz. Pjesë nga Gershwin apo Joplin, që kanë themeluar xhazin dhe muzikën bluz.

Koncerti i dytë (7 maj, ora 19:00 në Arturbina)do të jetë në formacionin kuartet me muzikantë shumë të njohur shqiptarë, si violinisti Arben Spahiu, i cili ka ardhur në Shqipëri disa herë. Një personalitet shumë i njohur në rrethet muzikore shqiptare, fama e të cilit zë fill që prej viteve ’80, para rënies së komunizmit. Sot luan si solo në Operan e Mynihut. Është gjithashtu mik shumë i afërt i imi, me të cilin performoj çdo vit. Mandej do të jenë bashkë me ne dy instrumentiste, të cilat kanë kohë pa luajtur në Shqipëri. Bëhet fjalë për violinisten Liza Soppi, e cila luan në violë në orkestrën  “I pomeriggi musicale” (“Milano”) dhe violinisten Enxhi Nini, të cilën shumë prej publikut shqiptar e njohin prej interpretimeve të saj në këngë. Ka qenë një nga muzikantet që bashkë me emra si Elton Deda etj., në fillimin e viteve ’90 kanë sjellë një lloj qasje moderne të muzikës.  Prej më shumë se 10 vitesh ajo performon në orkestrën e Rai-t dhe ishte koha që në radhën e muzikantëve të tjerë shumë të mirë, të interpretonte edhe ajo në vendin e saj.

Ndërsa, në datë 13 maj ora 19:00, që është edhe dita e fundit e Festivalit do të performojnë në sallën e Katedrales Ortodokse, violinisti Tedi Papavrami dhe pianisti François Frederic Guy.

Tani mendoj se kanë ngelur pak emra që nuk kanë ardhur në këtë festival. Pasi në këto 8 vite ka qenë një spektër i gjerë i artistëve shqiptarë, që i janë bashkuar këtij eventi, për më tepër me dëshirën e tyre, të nxitur edhe nga fakti se programin mund ta zgjedhin vetë.

Në një vend që ziejnë problemet dhe ku populli ende nuk ka krijuar një lidhje të fortë me muzikën klasike. Çfarë të nxit që për 8 vite të vish, thuajse për të përmbushur një mision, duke u sjellë shqiptarëve muzikë të mirë…

Janë dy faktorët kryesorë që më nxisin, të cilët janë karakterialë. Unë kam një entuziazëm të jashtëzakonshëm si njeri. Kjo bën që edhe artistët e tjerë të krijojnë besim, pasi nuk është e thjeshtë që ata të vijnë këtu në kushtet që ne ofrojmë; qoftë nga ana ekonomike, ashtu edhe e ambienteve. Pra në njëfarë mënyre entuziazmi është gjithëpërfshirës.

E dyta, është se unë jam vërtet jashtëzakonisht i apasionuar pas muzikës.  Zotëroj një njohje diskrete të sajën, të cilën dua ta vë në shërbim të njerëzve që e dëgjojnë.

Mandej mund të shtoj se kam edhe një natyrë “moskokëçarëse”, që më bën të angazhohem shumë në diçka, por në të njëjtën kohë të izolohem nga ajo që ndodh përreth, edhe të mos dekurajohem kaq thjesht.

Misioni im, dikujt mund t’i duket pak “donkishotesk”, e megjithatë nuk do ta ndryshoja me asgjë që mund të më ofrohej. Pavarësisht vështirësive që mund të ketë një shoqatë e pavarur artistike, edhe kur në të përfshihen shumë artistë me emër.

Nuk do ta ndryshoja asnjëherë këtë rrugë kaq të vështirë, me asnjë post publik, sado i lartë në fushën artistike. Është e vërtetë se kjo është rruga më e vështirë, por brenda ka elementin më të rëndësishëm për të bërë art cilësor. Ka lirinë. Çka do të thotë, që askush nuk mund të të imponojë se çfarë duhet të bësh, si apo kur.

Lirinë, ashtu siç unë i lë të lirë në zgjedhje artistët që marrin pjesë.

Sepse, në këndvështrimin tim, kjo liri në postet publike është vështirë të gjendet, madje gati e pamundur. Edhe pse të tjërë mund t’ia dalin mban të bëjnë atë rol në forma të tjera e të drejtojnë stafe të mëdha.

Duke qëndruar tek vështirësitë, si është përballja me skenat alternative, që ju ofrohen veçanërisht instrumentistëve të huaj. A ju “demoralizojnë” kushtet e vështira në to?

Kur e pyetën një kardinal të njohur francez që jeton në Afrikë, se ç’bën atje, ndërkohë që gëlonte rasti i “Notre Dame” ai u përgjigj: “Katedralja ime është atje ku janë besimtarët e mi. Këtu, në këtë kabanën prej tende. Sepse, nëse këtu ka besimtarë, edhe kjo tendë bëhet një katedrale”.

Në të njëjtën mënyrë e mendoj edhe unë bërjen e muzikës së mirë. Është e vërtetë se salla ndikon në komoditetin, komfortin shpirtëror. Por kur ambienti muzikor është i mirë, muzikantët e ndiejnë këtë. E gjitha varet nga ajo që ne presim nga koncerti.

Dëshira jonë është të prekim përmes muzikës sa më shumë vende. Në mars kemi qenë në dy salla ku nuk kishim luajtur më parë. Tek Kisha Katolike “Zemra e Krishtit” salla  ishte plot dhe akustika shumë e mirë. Pra, unë tani jam i bindur se nëse bëjmë diçka sërish atje, funksionon.

Madje një tjetër provë e madhe, e tejkaluar me sukses ishte auditori i Universitetit të Tiranës, në Qytet Studenti. Një vend, që njihet veçse nga studentët, të cilët erdhën në koncert në mënyrë spontane, pa u nxitur nga askush. Pra edhe pse ambienti mund të mos jetë ideal për koncerte, mendoj se të shkonim atje dhe të luanim ishte më e rëndësishme se akustika e sallës. Pasi shumica e njerëzve që ishin në atë koncert, e them me bindje se ishin njerëz që nuk i kishin frekuentuar më parë koncertet tona.

Kështu, me qëllimin për ta çuar muzikën e mirë, edhe jashtë qyteteve të mëdha, në 12 maj do të mbajmë një tjetër koncert në Kukël në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda” të drejtuar nga famullitari Dom-Nike Ukgjini. Është një zonë shumë e bukur që më ka impresionuar sapo e pashë. Aty ka jetuar poeti i madh Ndre Mjeda për mbi 30 vjet, dhe brenda godinës ka edhe një kishë, pasi edhe poeti ka qenë besimtar. Dua të theksoj se mikpritja, krahas qëllimit të mirë të muzikantëve, në raste të tilla është shumë e rëndësishme.

Krahas dëshirës së mirë, për t’i dhuruar bashkatdhetarëve muzikë cilësore edhe pse në kushte kritike. Cila është ajo mungesë skenike që shkakton vështirësitë më të mëdha?

Kam diskutuar për koncert në sallën e re që është tek Liceu Artistik. Nëse flasim për elementë kritikë, si të tillë do të cilësoja pikë së pari pianon koncertore. Mund të bëhen edhe 30 skena, por nëse nuk ka piano vështirësitë janë të mëdha. Pasi është një instrument që bën pjesë në të gjitha koncertet e muzikës. Ne instrumentet tanë, violinën, violonçelin etj., i marrim me vete dhe janë me shumë cilësor se punojmë me to gjatë gjithë kohës, por pianon duhet ta gjejmë në Shqipëri. Dhe ato që janë aktualisht, janë të një cilësie shumë të dobët. Edhe pse mund të jenë të bukura, ato nuk janë profesionale. E bukura, si pianoja e bardhë mund të jetë për videoklipe. Edhe këtu ka më shumë piano të bardha sesa të zeza…

Ngjarjet e fundit në Shqipëri janë përçuar edhe në mediet e huaja. Si kanë ardhur tek ti?

Kur flitet për medie të huaja që informojnë për Shqipërinë, shpesh gjej mospërputhje me atë që unë di apo mendoj. Veçanërisht kohët e fundit. Mund të thosha edhe se jam informuar gabim, por analiza e tyre shpesh më duket e nxituar.  Më duket një foto jo shumë e drejtë e atij realiteti që unë njoh. Kështu unë nuk e gjej veten. Ndërsa, përsa i përket politikës, unë gjithmonë kam zgjedhur të qëndroj larg pjesës politike. Preferoj të qëndroj në anën artistike, edhe pse ka mjaft njerëz që janë përzierë në të dyja fushat.

Madje,përsa i përket politikës nuk e gjej veten edhe në analizat që bëhen këtu (qesh).

Si i ke përcjellë protestat?

Kam parë me entuziazëm, si një pjesë e mirë e njerëzve lëvizjen studentore. Kjo edhe pse, e parë nga larg, mua më dha idenë e një proteste spontane dhe të natyrshme ç’ka ndodh rrallë. Madje edhe në Francë, ajo që nisi si një protestë spontane tani nuk është më e tillë. Jo vetëm që është e organizuar dhe ka synime politike, por edhe protestuesit nuk janë më të njëjtët.

Pra lëvizja studentore në këtë kontekst më dha shumë entuziazëm dhe e ndiqja përditë. Kjo edhe, sepse kur je i ri ke çdo të drejtë të protestosh për kushte më të mira për jetën, për të ardhmen. Je i shqetësuar për këtë dhe nuk ka të thotë nëse je brilant me 10-ta, apo nëse ke vështirësi. Njerëz të mëdhenj kanë pasur vështirësi dhe kjo nuk është arsye për të ndarë protestuesit në kategori të caktuara. Asnjëri nuk është më perfekt se tjetri.

Unë vë re se kushtet studentore janë shumë të vështira, dhe nuk jam në dijeni se ç’vendime janë marrë për përmirësimin e tyre. Ka ndër këto pika, hapa që nuk janë të vështira për t’u ndërmarrë, si transporti publik për studentët. Për ta është një kosto e jashtëzakonshme. Unë vetë jam në dijeni se 4-5 studentë tek Artet jetojnë në një shtëpi.

Kushte të tilla siç edhe e përmende vështirësojnë studentët për një të ardhme më të mirë, edhe profesionale. Mendon se ti vetë në të tilla rrethana do të kishe pasur të njëjtin zhvillim profesional?

E them me bindje që jo. Nuk do kisha formimin që kam. Nuk do kisha këtë këmbëngulje e entuziazëm, pasi kur jeton në një vend “të mbyllur”, ku mundësitë janë të vakëta, shpresa zbehet. Nuk do të kisha të njëjtin zhvillim profesional edhe pse kam studiuar me pedagogë shumë të shquar. Mandej ka ndikuar tek unë edhe eksperienca e përditshme, kolegët me të cilët kam bashkëpunuar. Sot në Shqipëri mundësitë për artistët janë të pakta, madje mund të them se unë bëj më shumë koncerte këtu se sa kolegët e mi instrumentistë. Edhe pse për mua kjo vjen së brendshmi, është diçka normale që atë që bëj jashtë ta sjell edhe në vendin tim.