Kalaja e Kaninës, një objekt historik dhe turistik, 6 km larg Vlorës, pritet t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bëri të ditur sot se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Restaurimin e fragmentit të murit të Kalasë së Kaninës”.

Sipas IMK-së, Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë parashikon konsolidimin e murit në krahun jugor të Kalasë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kalaja e Kaninës, është përmendur që në shekullin IV, por aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëparshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke.

Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek. V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre, me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej kalasë hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Kjo kala, veç vlerave historike, ka sot dhe vlera turistike. Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës.

Ky fluks turistik drejt këtij objekti antik sjell dhe një vlerë të shtuar në ekonominë e zonës.