Shqipëria ka arritur vitet e fundit nivelin më të lartë në histori të reformave transformuese.

Kështu ka deklaruar në studion e ERTV, Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili shtoi se Shqipëria ka kryer reformat më të paprecedenta në rajon.

Teksa foli për vlerësimet e ndërkombëtarëve mbi progresin e Shqipërisë, Cakaj u ndal në dy suksese të vendit, të vlerësuara edhe nga ndërkombëtarët.

“Në aspektin e brendshëm, Shqipëria ka krijuar dy precedentë të rëndësishëm. Në vitin 2018, trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë ka qënë 4.2 % ndërsa i rajonit 3.8, çka tregon se rritja e Shqipërisë ka qënë më e lartë se vendet e tjera të rajonit. Nga ana tjetër, reforma në drejtësi ka rezultuar me një pastrim të thellë të gjyqësorit nga gjyqtarët që nuk plotësojnë kriteret profesionale ose morale dhe reforma sot konsiderohet model për t’u eksportuar në rajon. Ndonëse vend kandidat, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që vepron në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian”, tha Cakaj.

Sipas tij, nga ndërkombëtarët, Shqipëria konsiderohet shtet që ka arritur nivelin më të lartë të reformave në historinë e saj dhe modeli i vendit tone konsiderohet i vlefshëm për t’u eksportuar në rajon.