Kur mbyllet një vit, gjithmonë pyesim: Si do të jetë jeta, qyteti im, planeti kur unë të jem plak, ose të mos jem më në këtë jetë?

E vërteta është që planeti po ndryshon vazhdimisht. Pavarësisht nëse e vëmë re këtë apo jo, transformimet ndodhin përditë.

Parashikime bëhen shumë, por ato që duken si më të provuarat shkencërisht janë dy: Niveli i ujit dhe makinat elektrike.

Qytetet bregdetare do zhvendosen

Në 800 vitet e fundit, njerëzit kanë matur vazhdimisht nivelin e detit. Por situata nuk ka qenë kurrë më e rëndë se në dekadat e fundit.

Studiuesit kanë parashikuar një rritje shumë të shpejtë të nivelit të detrave, ndryshe nga ato që janë parë deri tani. Arsyeja kryesore është shkrirja e akullit nëpër pole.

Studimet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, parashikojnë që niveli i detit do të rritet 2 metra gjatë 50 deri 100 viteve të ardhshme.

Efektet e një rritjeje të tillë, do jenë katastrofike. 44 për qind e popullsisë së botës banon në qytetet bregdetare, dhe nivelet më të larta të detit do të detyronin shumë njerëz të lëviznin diku tjetër.

Qytetet e vogla bregdetare do shndërrohen në qytete fantazmë.

Makinat elektrike po vijnë shumë shpejt

Ekspertët në Universitetin Xhorxhtaun në SHBA, mendojnë se deri në vitin 2040, 90 për qind e automjeteve në rrugë do të jenë elektrike, dhe shumë shpejt pas kësaj, automjetet me naftë dhe benzinë ​​nuk do të ekzistojnë më.

Norvegjia ka deklaruar se do të ndalojë shitjet e makinave me karburantet fosile deri në vitin 2025, me Holandën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar që bëjnë të njëjtin premtim për vitin 2040.

Gjermania dhe Kina, dy lideret në industrinë e makinave, kanë premtuar ide të ngjashme, pa një vendosur afate kohore. Ndërkohë studiuesit shtojnë se automjetet autonome do të dominojnë gjithashtu shoqërinë. Ekonomisti i Universitetit të Stenfordit, Toni Seba, thotë se deri në vitin 2030, 95 për qind e udhëtarëve do të përdorin automjete që drejtohen vetë.

Në këtë mënyrë, shërbimet e udhëtimit do të kushtonin sa më pak, duke e zvogëluar barrën për ata që mbështeten tek taksitë dhe transporti publik.