Policia e Shtetit vazhdon të ushtrojë kontrolle për sa i përket veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas njoftimit, në Berat, janë proceduar penalisht 2 shtetas pasi ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë kontrolleve të befasishme të Policisë në qarkun e Beratit për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat në bashkëpunim me Njësinë Operacionale kapën dhe proceduan penalisht shtetasit: E.T, 60 vjeç. Dhe M.Q, 28 vjeç. Të dy shtetasit ishin më banim në Berat.

Sipas njoftimit, procedimi penal i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësim i paligjshëm” “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Këto pasi në ambientin e lokalit në pronësi të shtetasit E.T, ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjithashtu policia tha se sekuestruan në cilësinë e provave materiale 1 valixhe e mbushur me çipsa, 1 tavolinë pokeri, 2 pako me letra bixhozi si edhe shuma prej 11.700 lekë.