Është luajtur sot java e fundit e kampionatit Primavera në Itali, ku marrin pjesë futbollistë deri në moshën 19 vjeç.

Lajmi i ditës është se Milani ka rënë nga kategoria! Kuqezinjtë, që kanë vuajtur gjatë gjithë sezonit, luanin në Firence dhe u duhej vetëm fitorja ndaj Fiorentinës, për të shmangur vendin e parafundit, që zbriste në Primavera 2.

Që në fillim Sala shënoi për skuadrën e drejtuar nga ish-mesfushori Federico Giunti, por Fiorentina nuk u dorëzua dhe dominoi deri në fund, edhe pse nuk i duheshin pikë, sepse ishte e sigurt në play-off.

Në minutën e 89-të erdhi “thika në zemër” për Milanin, që pësoi golin e barazimit dhe nuk arriti të reagonte më.

Një dështim kolosal për Milanin, që tregon se është punuar shumë keq me ekipet e moshave dhe është një tjetër minus i madh për drejtuesit aktualë, nga Leonardo te Maldini.