Sapo janë mbyllur gjashtë ndeshje të tjera të raundit të tretë të fazës kualifikuese për Euro 2020 dhe surprizat nuk kanë munguar.

Moldavia, rivalja e ardhshme e Shqipërisë në Grupin H, ka mundur 1-0 Andorrën në shtëpi dhe është barazuar me pikë me kuqezinjtë e Reja-s. Goli që ka vendosur ndeshjen është realizuar nga Armas (8′).

Rusia nuk është përmbajtur kundër kombëtares modeste të San Marinos, të cilën e ka mposhtur me rezultatin e thellë 9-0. Protagonistët e kësaj sfide ka qenë Dzyuaba, autor i katër golave (31′, 74′, 76′, 88′). Golat e tjerë janë realizuar nga Smolov (77′, 83′) Ceovil (25′, autogol), Kudryashov (36′) dhe Miranchuk (41′). Falë kësaj fitoreje, Rusia është ngjitur në vendin e dytë të Grupit I, ndërsa San Mario mbetet në të fundit.

Surpriza ka ardhur në Grupin J, ku Finlanda ka mundur 2-0 Bosnje Hercegovinën dhe është ngjitur në vendin e dytë. Dy gola të Pukki-t (56′, 68′) kanë ndëshkuar Dzeko-n me shokë, që mbajnë vendin e katërt në grup me 4 pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes Armenisë dhe Lihtenshtejnit është mbyllur 3-0 për vendasit. Ghazaryan (2′), Karapetian (18′) dhe Barseghyan (91′) kanë qenë autorët e golave.

Irlanda e Veriut ka marrë fitoren e tretë radhazi në Grupin C pasi ka mundur 2-1 Estoninë në transfertë. Ka qenë një fitore me përmbysje për miqtë, të cilët kanë kaluar në disavantazh në minutën e 25-të dhe kanë arritur të përmbysin gjithçka në harkun e tri minutave në pjesën e dytë me Washington (77′) dhe Magennis (80′). Irlandezët kryesojnë grupin, ku bëjnë pjesë Gjermania dhe Holanda, me 9 pikë.

Fitore e rëndësishme edhe për Hungarinë, që ka mundur 3-1 Azerbajxhanin në transfertë dhe kanë marrë kreun e Grupit E, duke parakaluar Kroacinë. Heroi i miqve ka qenë Orban, autor i dy golave (18′, 53′). Vendasit kanë ngushtuar përkohësisht me Madatov (70′), por Hungaria ka mbyllur takimin me Holman (73′).