Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar vendin në të cilin është menduar të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë. Veseli ka propozuar që ky muze të ndërtohet në vendin që njihet si ish-fabrika e tjegullave në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 m.75 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Sipas tij, ky Muze i Gjenocidit do të ketë rol përkujtimor dhe edukativ për brezat e ardhshëm dhe ka theksuar që gurthemeli të vendoset në vitin 2020. “Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin tonë. Serbia dhe kryesit e krimeve do të përgjigjen për këtë gjenocid të kryer në Kosovë. I falënderoj të gjitha organizatat që merren me ndriçimin e të vërtetës – të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë shprehur interesin për iniciativën tonë, edhe Kongresin Amerikan që na ka mundësuar që të rrëfehen këto krime”.

“Kjo është një iniciativë që populli i Kosovës e merr për hir të së drejtës dhe të vërtetës, nuk ka pajtim pa pasur dënim të gjenocidit. Ditën e enjte do të kemi seancë. Do të jetë një nga iniciativat më së shumti e votuar nga të gjithë deputetët, do të themelohet komisioni shtetëror që fillon punën e dokumentimit të së vërtetës dhe më pas inicimin e Tribunalit”. “Po ashtu edhe ditën e enjte do të fillojmë me Muzeun e Gjenocidit, do ta propozojmë këtë vend. E falënderoj edhe AKP-në dhe ministrin e Kulturës që po bën një punë të shkëlqyeshme, pasi kjo do të jetë punë e dikasterit të tij”.

“Po i them pesë arsye ose po bëhet ky muze; përkujtimi i krimeve të bëra; do të jetë qendër dokumentimi; do të shërbejë si mundësi për vizitë; do të ketë rol edukativ për brezat dhe do të ketë rol për përgatitjen e aktakuzave për krimet e luftës”. “Në vitin 2020 do ta kemi gurthemelin, me buxhet mund ta fusim edhe përpara. Të enjten do të vendoset edhe dita e gjenocidit serb dhe memoriali i dëbimit që do të jetë para stacionit të trenit në përkujtim të të dëbuarve nga Kosova”.

Ditë më parë, Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një komisioni shtetëror i cili tashmë pritet të formalizohet të enjten në një seancë parlamentare dhe pas punës së tij do të rezultojë edhe inicimi i hapave tjerë drejt formimit të Tribunalit Ndërkombëtarë.