Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markovic kanë nisur ditën e enjten në Podgoricë një takim ministror për kalimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në energji të pastër. Gjtë këtij takimi, Hahn është shprehur se politika e BE-së për energjinë mbështetet në Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike. Ai ka kujtuar se kjo marrëveshje nënkupton reduktimin për 25 për qind të konsumit të energjisë dhe të emetimeve të gazrave serrë në 40 për qind, deri në vitin 2030.

Hahn ka thënë se një nga mënyrat kryesore për të arritur këtë qëllim është kalimi në burimet e pastra të energjisë. Ai po ashtu ka theksuar se ekzistojnë plane për hidrocentrale të reja në rajon. Në kuadër të takimit ministror, pritet të nënshkruhet edhe një dokument në bazë të të cilit, insitucioneve financiare ndërkombëtare do t’iu mundësohet të ndajnë financa shtesë për kalimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në energji të pastër.