Masat që duhen ndërmarr për një sezon veror më të sigurtë dhe cilësor ishin në fokus të mbledhjes së Komitetit të Turizmit, i cili u zhvillua sot në Velipojë, Shkodër. Në takimin e organizuar mori pjesë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dhe operatorë turistikë. Ministri Klosi gjatë takimit, nënvizoi arritjet e sezonit turistik të vitit 2018 dhe gjithashtu garantoi se dhe sezoni turistik 2019, do t’i gjejë plazhet tona më të sigurta, të pastra dhe sa më mikpritëse, kjo fal dhe bashkëpunimit të institucioneve përkatëse, bizneseve dhe forcave policore.

”Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit” përcakton se duhet të jemi shumë më përpara me ndarjen e plazheve publike dhe private. Të mos tolerohet mos përcaktimi i 20% në sipërfaqet e plazhit për përdorim publik dhe 80% për privatin. Kjo jep mundësinë që të gjithë të pushojnë në plazhin e Velipojës dhe kudo në bregdet”, – u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit në Velipojë. ”Gjithashtu duhet të kemi rregullore të qartë sesi funksionon stacioni i plazhit, pra të kemi që sot dakordësinë se cili operator do të marrë një stacion plazhi në menaxhim, i cili do ketë detyrimin për të siguruar higjienën, rregullin dhe natyrisht të kryejë funksionet publike me ruajtës plazhi. Këto janë detyrime që duhet të jenë të qarta para se të nis strukturimi i stacioneve të plazhit. Kontrolli i forcave të policisë nuk do jetë vetëm gjatë sezonit, por përpara se të merren lejet e operatorëve”, – përfundoi ministri Klosi.

Në takimin e organizuar, kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi foli për masat e marra nga qeverisja vendore për një sezon turistik sa më të mbarë e rezultativ jo vetëm në Velipojë, por në të gjithë qarkun e Shkodrës. “Zyrat e informacionit turistik janë funksionale që në maj. Në Velipojë do nisim gjithashtu në maj çeljen e sezonit të ri turistik, ku kalendari i aktiviteteve i financuar nga bashkia Shkodër ka parashikuar 32 aktivitete kulturore dhe artistike”, – u shpreh Voltana Ademi.

“Gjithashtu kemi dhe 16 aktivitete në partneritet me shoqatën e artizanëve. Pra fokusi ynë si bashki është turizmi, ku kemi gati 50 aktivitete për sezonin e ri turistik, jo vetëm për në Velipojë, por në gjithë territorin e Shkodrës”, – tha Ademi.