Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ditën e sotme në një takim vajzat e skuadrës së basketbollit “Tirana”, të cilat u shpallën kampione pas 20 vitesh.

Trajneri i ekipit të klubit të basketbollit “Tirana”, Erdal Borova, si fitues i kampionatit të femrave, e vlerësoi këtë trofe si shumë të çmuar, për faktin se prej vitesh “Tirana” nuk e merrte një titull kampion, pas një dominimi të Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit.

“Është një sukses mjat i mirë dhe shumë i bukur për ekipin tonë, por edhe për qytetin e Tiranës dhe të Bashkisë së Tiranës. Një falenderim u shkon vajzave, stafit tonë dhe padiskutim, kryetarit tonë të bashkisë, i cili vazhdimisht ka qenë pranë ekipit në këto ditë të vështira, por edhe më përpara. Besoj se përkrahja dhe ndihma e bashkisë do të jetë edhe më e madhe për shoqatën tonë”, tha Borova.

Për Erta Bujarin, kapitenen e skuadrës së basketbollit “Tirana” fitorja e këtij trofeu është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm se vjen pas një kohe të gjatë pa këtë titull, por edhe sepse shpërblen edhe mundin dhe sakrificën e vajzave të kësaj skuadre.

Presidenti i Klubit, Arbër Kadia tha se tashmë i takon Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera të vendit që t’i japin sportit vëmendje më të madhe.

“Sporti shqiptar ka nevojë për një ndihmë shumë të madhe nga institucionet. Shpresoj që bashkia ta marrë përsipër këtë sfidë edhe ta kthejë në produkt real sepse nuk është gjithçka llaç e tulla, edhe energji e gjëra të prekshme, por është edhe argëtimi shpirtëror. Sporti absolutisht ndihmon edhe shoqërinë, pra jo vetëm njerëzit që aktivizohen në sport, por edhe ata që e shohin atë”, tha Presidenti i Klubit të basketbollit “Tirana”.

Ndërkaq në takim, Velij theksoi se për të nxitur zhvillimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të tjera, në mandatin e dytë si kryetar bashkie, do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i një pallati të ri sporti për lojërat individuale apo edhe për disiplina të tilla sportive, si volejbolli apo basketbolli, ku dhe tradita është më e vjetër.