Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot në konferencën kombëtare “Forcimi i Dialogut mbi Financat e Qeverisjes Vendore “, se dita e zgjedhjeve të 30 qershorit do të jetë një ditë për të ballafaquar idetë dhe për të mbajtur fokusin tek nevojat reale të qytetarëve.

“Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër sepse kështu kemi vendosur. Ndaj, këto 38 ditë është momenti për të reflektuar dhe duhet ta falenderoj publikisht USAID-in dhe Ministrinë e Financave që na ka dhënë dokumentin më të mirë të reflektimit dhe të përballjes me zgjedhësit tanë në 30 qershor”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se nëse zgjedhjet nuk mbahen në datën e përcaktuar, atëherë pas kësaj date nuk mund të ofrohen shërbimet për qytetarët e Tiranës, ndërsa shtoi se qyteti nuk mund të futet në një qorrsokak aventurierësh. “Nuk jemi vetëm një turmë militantësh të kuq dhe blu, por jemi edhe njohës të ligjit, sepse kemi shërbyer 4 vite në bashkitë tona. Ju e dini fare mirë që mbas datës së betimit nuk mund të nënshkruajmë asgjë, as për hapjen e varreve të reja, sepse duam s’duam nesër do të ketë nevojë për varre të reja, as për të çuar qumështin, sepse duam s’duam ne, fëmijët duan të pijë qumësht në çerdhe e kopshte, kështu që futemi në qorrsokak ligjor prej aventurierësh”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se data 30 qershor do të jetë një ditë ballafaqimi i ideve dhe i projekteve, me fokus te nevojat e qytetarëve. Ai u bëri thirrje edhe kryetarëve të tjerë të njësive vendore që të shfrytëzojnë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet ndaj qytetarëve të tyre. Si fakt për këtë solli shembullin e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e kopshteve dhe të çerdheve, si dhe punën e bërë për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve.