Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës deklaroi se opozita dhe drejtuesit e saj po luajnë lojën e kungulleshkave për datën e zgjedhjeve, ndërsa shprehu bindjen e plotë se ata nuk do të mund të bllokojnë zhvillimin e vendit.

Duke folur në emisionin “Open” në Top Channel, Veliaj theksoi se Basha ka pasur mundësinë të bëjë më shumë se ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe nuk ka lënë gjurmë.

“Ajo që Edi Rama ka përmendur ka qenë atë që kam dëgjuar edhe unë, kulisat për të thënë, për të luajtur kungulleshkash. Pra jo në qershor, po kur? Në Tetor. Po nëse ata nuk janë gati në tetor, mirë e ndërrojmë në nëntor.

Po nëse s’ janë gati në nëntor. Në dhjetor. Ajo që Edi citoi është një lojë kungulleshkash që kjo minorancë e lodhur e diskredituar pa asnjë mbështetje as popullore as ndërkombëtare luan me datat si me qenë një lodër fëmijësh, ndërkohë kush merret me politikë, kush merr përgjegjësi e votohet duhet të mbajë përgjegjësi e sillet si i rritur i vaksinuar .

Në momentin që kjo është kthyer për një grup të dëshpëruar politikanësh të diskretituar si lojë kungulleshkash atëherë e kuptoj pse Edi e përdori si sens retorikë që këta ofrojnë data, duke mos menduar që do jenë ndonjëherë gati. Kanë katër vjet që nuk gjejnë një kandidat”, theksoi Veliaj, teksa shtoi se shumica e heshtur absolute është e vendosur për të ecur përpara.