Qendrat studentore kanë pak kohë që kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë puna për rikonstruksionin e tyre ka nisur. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë ndërsa nuk kurseu komentet edhe për protestën e studenteve.

Veliaj u bëri thirrje studentëve që të rikthehen në auditoret e mësimit për mbylljen në kohë të këtij viti akademik, çka do t’i jepte mundësinë Bashkisë së Tiranës që gjatë muajve të verës, kur ata janë me pushime,

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si vlon puna edhe në fundjavë, fill mbas festave dhe motit të keq, për të transformuar qendrat tona studentore.Aktualisht mund të ndërhyjmë vetëm në sipërfaqet e jashtme dhe në sipërfaqet e përbashkëta. Nëse ka ende studentë që për interes dhe për ideal të partisë vazhdojnë dhe protestojnë, do të thotë se shkolla do të shtyhet në gusht-shtator, ndërsa në tetor ata do të duhet të kthehen. Pra, na lë zero hapësirë që të mund të rregullojmë edhe dhomat.

Ndaj, u kërkoj studentëve, jo për politikë, por vetëm për interesin e tyre, shkoni në mësim që shkolla të mbarojë kur duhet, në korrik, që ne të kemi mundësi gjatë muajve gusht-shtator të punojmë nëpër dhoma, dhe kur të ktheheni në tetor, t’i gjeni gati”, u shpreh Veliaj.