Në emisionin Java në RTSH, analisti Lorenc Vangjeli citon burime të rezervuara të opozitës sipas të cilave, protesta e të shtunës do të ketë një fillim, por jo një fund të shpejtë.

Vangjeli thotë se me të gjitha gjasat, protesta e të shtunës së opozitës, që do të nisë në mbrëmjen e datës 13 prill, nuk do të ketë një epilog të shpejtë, konfirmojnë burime të rezervuara pranë opozitës.

Protesta do të nisë në orën 18.00 përballë godinës së Këshillit të Ministrave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por nuk do të shpërndahet shpejt. Protestuesit do të kalojnë gjithë natën në bulevard.

Së paku kjo është shpresa e drejtuesve të protestës, PD-së, LSI-së dhe partive të tjera të opozitës që kanë thirrur këtë protestë.

Ky është një skenar që është mbajtur i fshehtë dhe përfshin përdorimin si rresht të parë të një bërthame kompakte militantësh të vendosur për këtë lloj sakrifice, jo fort të re në opozitarizmin shqiptar.

Moti dhe temperaturat e të shtunës në mbremje, por mbi të gjitha pjesmarrja, do të jenë faktorët që do të verifikojnë ose rrëzojnë këtë skenar, që do të luhet përpara 1300 punonjësve të policisë dhe dhjetra kamerave televizive që do të transmetojnë LIVE.