Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde ka prezantuar përpara mediave atë që pritet të jetë sfida e të shtunës për ekipin blaugrana përballë skuadrës modeste të Huesca, por duke u ndalur edhe në përplasjen e përgjakshme në atë duel mes Messit dhe Smalling.

“Huesca nuk ka asgjë për të humbur, po luan gjithçka dhe do të duhet të japë gjithçka me objektivin për të shpëtuar. Për këtë motiv, ajo e nesërmja do të jetë një ndeshje e rrezikshme për ne”, komentoi Valverde.

“Do të bëjmë rotacion në formacion dhe ka gjasa që edhe Messi të pushojë. Leo është mirë fizikisht, por në Manchester pësoi një goditje të shëmtuar. U shtyp nga një kamion dhe duhet të reflektojmë mbi shfrytëzimin e tij. Ka kuptim qëndrimi i tij në pankinë, por të mos harrojmë se na duhen edhe 10 pikë për tu shpallur kampionë”, paralajmëroi trajneri i Barcelonës.

“Kemi të gjithë një ndjesi pozitive për përfundimin e sezonit, por e ardhmja është e gjitha për tu vendosur dhe duhet të arrijmë objektivat tonë. Të mos flasim për tripletën. Edhe vitin e kaluar ishim pranë tripletës, porn ë përfundim fituam vetëm dy tituj dhe jo tre”, përfundoi trajneri Valverde.