Emri i saj ka qenë më i lakuari në media gjatë fundjavës së shkuar. Shkak është bërë bashkëshorti i saj, Dragos Savulescu, i cili sipas medieve është përfshirë në një skandal të madh në Rumani. Për këtë Angela Martini flet për herë të parë në një deklaratë ku jep përgjigje edhe për divorcin.

Katërmbëdhjetë vite më parë, në vitin 2005, shteti rumun hapi një çështje gjyqësore ndaj bashkëshortit tim, për pretendimin ligjor të një toke. Kjo ngjarje e ka zanafillën 17 vjet më parë, kur ai ishte 28 vjeç. Pavarësisht se është figurë publike dhe biznesmen i njohur në Rumani, kjo është e vetmja çështje kriminale në të cilën ai është përfshirë gjatë gjithë jetës së tij. Kjo çështje është hapur për arsye tërësisht politike, kur u prek një nga bizneset e tij. Pala akuzuese pretendonte pa të drejtë se një grup prej 35 vetash kishte shkaktuar një dëm financiar prej 114 milionë eurosh ndaj bashkisë së Konstantës, një prej qyteteve më të mëdha në Rumani. Gjithçka u pasqyrua nga mediet vendase, të cilat e kthyen çështjen në një skandal, me qëllimin e vetëm për të mbjellë urrejtje në publikun e gjerë, edhe pse bëhej fjalë për një sajesë dhe lajm të fabrikuar. Marrëveshja e bërë nga bashkëshorti im ishte e gjitha konform ligjeve rumune, gjë që e konfirmoi më vonë edhe gjykata, ku u vërtetua se dëmi ishte zero, pra, nuk kishte ekzistuar kurrë.

Në fillim të këtij viti, saktësisht më 7 shkurt, nën presionin e Shërbimit Sekret Rumun, i cili ka kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor rumun, gjykatësit e korruptuar të Gjykatës së Lartë Rumune morën një vendim abuziv, duke i dënuar të 35 ata persona me shumë vite burg. Mes tyre, edhe bashkëshortin tim, i cili u dënua me 5 vjet dhe 6 muaj burg, edhe pse, sipas së njëjtës sentencë të paligjshme, ai nuk i detyrohet asnjë qindarkë askujt. Të gjithë të përfshirët në këtë çështje tani ndodhen në burg, me përjashtim të bashkëshortit tim, i cili nuk pranoi të dorëzohej dhe të pranonte këtë vendim të padrejtë dhe mbi të gjitha të paligjshëm, i cili është kundër ligjit rumun, kundër ligjit europian dhe kundër ligjit europian për të drejtat e njeriut. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mori një vendim që konfirmoi përfshirjen e Shërbimit Sekret Rumun në sistemin gjyqësor të atij vendi, bazuar në të ashtuquajturin “protokoll”.

Të gjitha këto fakte janë ndjekur nga debate të mëdha publike dhe grindje politike, të cilat kulmuan dy javë më parë, me arrestimin e kreut të Partisë Social-Demokrate, kundërshtarit kryesor të sistemit korruptiv në atë shtet. Kështu, Shërbimi Sekret dhe e ashtuquajtura drejtësi rumune fituan. Edhe pse Rumania është në Bashkimin Europian, vitet e fundit në atë vend janë bërë abuzime të pafundme me shumë çështje të drejtësisë, çka ka çuar në arrestimin e mijëra njerëzve, duke filluar që nga biznesmenë të rëndësishëm dhe deri te politikanë. Të gjitha këto janë kryer nën hijen e një demokracie hipokrite dhe “luftës ndaj korrupsionit”, që në fakt ka nxjerrë në dritë vetëm të vërtetën e madhe: që Rumania është ende një vend i botës së tretë, një koloni, një vend ku drejtësia nuk funksionon, një vend ku Shërbimi Sekret është ai që bën gjithë lojërat ekonomike dhe politike, me ndihmën e një sistemi drejtësie të korruptuar. Shtypi rumun, por edhe ai ndërkombëtar, janë mbushur me debate dhe komente për këtë.

Menjëherë pas shpalljes së këtij vendimi, shtypi rumun, edhe ai kryesisht i kontrolluar nga Shërbimi Sekret, bëri sulme të njëpasnjëshme, duke fabrikuar lajme të rreme për bashkëshortin tim, derisa ai vendosi të publikonte të gjithë të vërtetën për këtë çështje në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” dhe në blogun e tij personal. Vetëm atëherë shtypi reshti së sulmuari për këtë çështje, sepse u gjend përpara së vërtetës lakuriqe, të pakundërshtueshme.

Të gjitha detajet për çështjen e bashkëshortit tim janë botuar rumanisht në faqen e tij në “Facebook” dhe në blogun e tij, që prej datës 5 mars të këtij viti. E njëjta e vërtetë është botuar edhe sot anglisht dhe i ftoj të gjithë të interesuarit për këtë temë, që ta lexojnë me kujdes, për ta kuptuar si duhet. Revista Who