Kanë 13 vjet bashkë dhe romanca e tyre duket si një film me shumë momente të bukura, por edhe kriza e ndarje të përfolura. E ndryshe nga çiftet e tjera të showbizz- it, për Nora Istrefin e Robert Berishën, tashmë prindër të një vajze, të flasin për ndarjen e tyre nuk është nj tabu.

Madje, sipas miqve të tyre, ata po japin aq shumë deklarata motivuese për divorcin, sa nuk është çudi që tashmë të ketë ndodhur vërtet. Pak kohë më parë ishte Roberti ai që u shpreh se ndarja është normale për një çift që vendos t’i japë fund lidhjes. Teksa ishte i ftuar në emisionin “Gjesi”, ai u pyet në lidhje me lajmet që shpeshherë kanë qarkulluar për raportin me bashkëshorten e tij, Nora Istrefi, këngëtari tha se mediat priren të publikojnë menjëherë lajmet e këqija.

Gjatë intervistës, Roberti u shpreh se nëse ndarja ndodh, është diçka normale që duhet të pranohet. Por kjo nuk do të thotë se gjërat mes Norës dhe tij nuk po shkojnë mirë. “Nëse ka diçka të vërtetë, shumë shpejt merret vesh. Edhe është diçka normale, edhe nëse është e vërtetë. Është shumë gjë normale”, është shprehur këngëtari. Por nëse Roberti njihet për karakterin më të hapur para mediave, këtë herë ka filluar të thyejë heshtjen dhe misteriozja e muzikës, Nora.

Në një intervistë të fundit, ajo ka zgjedhur të flasë pak më shumë për jetën e saj personale, duke rrëfyer detaje të reja nga jeta e saj martesore. Në një intervistë për “Mirage”, këngëtarja ka treguar ndjesitë që përjetoi kur i vdiq i ati e deri te dyshimet e publikut për ndarjen e saj me Robertin.

Për sa i përket ndarjes së komentuar me Robertin, Nora tha: “Njerëzit ndonjëherë edhe keqkuptohen. Ne vazhdojmë të jemi të dashuruar, vazhdojmë të jemi bashkë, të jemi prindër, vazhdojmë të jemi bashkë dhe të lumtur”, tha Istrefi, duke u dhënë fund dyshimeve. Por kolegëve të afërt të tyre u kanë treguar se në fakt ata mund të konsiderohen çifti i krizave, pasi në 13 vite bashkë kanë pasur disa raste kur janë përballur me mosmarrëveshjet.

Sipas tyre, çifti i famshëm e ka diskutuar aq shumë ndarjen sa janë shumë të përgatitur shpirtërisht për të jetuar të ndarë. “S’ka inat” ishte klipi ku çifti i famshëm i këngëtarëve nga Kosova, Robert Berisha dhe Nora Istrefi, u bënë bashkë pak kohë më parë për të na rrëfyer përmes vargjeve e muzikës një copëz nga historia e tyre 13-vjeçare e dashurisë. Tashmë, prindër të vajzës Renee, ai, burri shumë i pashëm i një gruaje të bukur, ka guxuar gjithmonë të japë detaje rreth martesës me një grua si Nora. Pyetjes në një intervistë për “Panorama Plus” nëse bëhet xheloz për Norën si një ndër femrat yje të muzikës, dhe nëse ajo bëhet për të, Roberti iu përgjigj: ”S’do kishim qenë bashkë plot 13 vite po të kishim qenë xhelozë… Të kesh një partnere të bukur është fat dhe ndjenjë e bukur”, tha ai.

Sekreti për martesë të lumtur mes dy artistëve karrieristë dhe gjithnjë me udhëtime e koncerte, cili është, sipas tij? “Nuk ka sekrete, ka vetëm dashuri dhe respekt. Në shumicën e kohës jemi bashkë, përveç weekend-it, pra, një të shtune. Nga e diela deri të premten jemi bashkë, kurse çiftet e tjerë, të cilët kanë orar pune 8 orë çdo ditë nga e hëna deri te premten, shihen më pak se ne”.

E nëse janë të kënaqur me paratë që fitojnë nga muzika, ai thotë: “Pasuria s’ka kufi… Kemi një jetë normale dhe profesioni i vetëm është muzika… Jetojmë prej saj”. E nëse intervistat e tyre për ndarjet kanë qenë më të shpeshta sesa për vetë muzikën që bëjnë, le të shohim se çfarë do të vendosin të rrëfejnë tani e tutje për marrëdhënien e tyre.