Nëpër disa portale po qarkullon së fundmi lajmi se ish-ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, akuzohet se ka mashtruar kur në 2018-ën, përmes një postimi në Facebook deklaroi se Ministria që drejtonte në atë kohë kishte fituar gjyqin me biznesmenin italian Francescco Bechetti. Madje, në këto portale, Gjiknuri u akuzua se e kishte fshirë postimin e vitit 2018.

Duke përgënjeshtruar këto pretendime, Gjiknuri riposton edhe njëherë të njëjtin postim të Janarit 2018 duke sqaruar se qëllimisht spekulohet pasi bëhet fjLë për dy procese të ndryshme arbitrazhi.

Ai për të cilin Gjiknuri ka bërë postimin në 2018 ishte për përballjen mes shtetit shqiptar dhe shoqërisë Hydro S.R.L për çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit. Ky proces ndiqej nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u fitua në arbitrazh duke marrë dhe të drejtën e dëmshpërblimit rreth 7 milion euro në favor të shtetit shqiptar.

Ndërkaq, sipas Gjiknurit, lajmet e fundit në media për vendim arbitrazhi kundër Shqipërisë i referohen një tjetër procesi arbitrazhi që nuk ka lidhje me atë të përfunduar në 2018 dhe tjetër objekt pasi në këtë rast flitet për Agon Channel.

POSTIMI I PLOTE I GJIKNURIT

Për spekulantët e rëndomtë e përsëritës që mbushin portalet me shpifje. Ja ku është postimi i kryer prej meje në përfundim të procesit të arbitrazhit mes qeverisë shqiptare dhe
Shoqërisë Hydro S.R.L. për çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit. Vendimi i ndërmjetëm e më pas vendimi final i publikuar zyrtarisht nga gjykata dhe nga media në atë kohë, i dha fitoren Shqipërisë dhe dëmshpërblimin me rreth 7 milion Euro. Vendimi që qarkullon sëfundi në media nuk ka lidhje fare me këtë proces arbitrazhi të ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe i fituar por ka të bëjë me një tjetër proces dhe tjetër objekt. Për fatin e tyre të keq, spekulantët u kapën sërish në shpifje!