Edhe gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku kur plazhet e bregdetit mbipopullohen, fshati turistik malor i Dardhës frekuentohet në masë nga turistë vendas dhe të huaj. Fshati turistik i Dardhës ndodhet vetëm 18 km larg qytetit të Korçës.

Sapo hyn në fshatin që shtrihet mes maleve e pyjeve, kupton pasurinë natyrore të kësaj zone. E ndodhur në lartësinë mbi 1300 metra mbi nivelin e detit, me një klimë të larmishme, me peisazhe tërheqëse, ajër të pastër dhe gatimet tradicionale të zonës, e bëjnë Dardhën një nga atraksionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

“Ambienti qetësues, ushqimet tradicionale. Është shumë bukur këtu. Kemi ardhur këtu që të bëjmë diçka ndryshe. Deti është për tre muaj, ndërsa këtu vijmë për dy ose tre ditë. Ajri i pastër, shërbimi i mirë, hotelet janë shumë të mira edhe çmimet janë shumë të mira. Është diçka ndryshe prej qytetit dhe të përditshmes” thonë turistët.

Shumë banorë të zonës kanë zgjedhur emigracionin si rrugën e vetme për ta dhe fëmijët e tyre. Por, edhe pse janë larguar, vendlindja e tyre mbetet gjithmonë destinacioni i preferuar i pushimeve të tyre.

“Vijmë për vit nga data 15 korrik deri në fund të gushtit. Këtu kam shumë kujtim të të rinisë këtu. Edhe kur ishim student ditët ishin shumë të bukura sidomos në behar kur bënim mbrëmjet e vallëzimit të cilat ishin të përditshme”. E lidhur fort me rrënjët e saj është edhe kjo zonjë. “Një periudhë të kohës e kam kaluar këtu pastaj në një qytet tjetër, megjithatë nuk e harroj Dardhën. Më qan zemra për këtu’.

Në këtë fshat ku shtëpitë karakteristike njëkatëshe të mbuluar me plloça e me rrugë të shtruara me kalldrëm, gjen gjithmonë streha mikpritëse. Këtë e rrëfen më së miri çifti i të moshuarve Pandi dhe Shadia ose sic njihet ndryshe nga të gjithë mbretëresha e lakrorit, të cilët për 30 vite ju kanë shërbyer pushuesve që vizitojnë Dardhën. Sot edhe pse rreth të 80-ve Shadia dhe Pandi tregojnë se sekreti i tyre eshte pasioni dhe dashuria që ata i kushtojnë gatimeve tradicionale.

“Çdo gjë që zë njeriu me dorë nëse nuk fut shpirtin brenda, asgjë nuk bëhet e mirë. Unë fus dashurinë brenda. Kur i them klientit do ta bëj fus të gjithë dashurinë. Deri më sot që kam kaq vite që kamë punuar, një njeri nuk më ka thënë se e kam bërë ushqimin keq.

Vjen një herë e më thotë e paske bërë shumë të mirë gatimin. Vjen herën e dytë dhe më thotë këtë radhë e paske bërë shumë më të mirë” tha Shadia. “Ne kemi këtu gati 30 vite që punojmë. Tani u plakëm. Mundohemi të punojmë dhe klientët t’i kënaqim. Klientët tanë nuk na janë ndarë madje na janë shtuar edhe më shumë” tha Pandi.

Dardha është një nga mundësitë e shumta turistike që Korça dhe juglindja e vendit të ofron. Vizitimi i vendeve të tilla përveç se na njeh më mirë me vlerat e Shqipërisë ndihmon edhe banorët e zonës, disa prej të cilëve kanë zgjedhur investimet modeste në turizëm për të garantuar të ardhurat e jetesës.