Parlamenti grek pritet në orën 20:00 të votojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së majtë të kryeministrit, Alexis Tsipras.

Kërkesa është parashtruar nga vetë kreu i ekzekutivit dhe përbën votëbesimin e pestë që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2015.

Megjithëse partia Syriza e Tsipras numëron më pak se gjysmën e mandateve në parlamentin grek, qeveria pritet t’i rezistojë votimit me mbështetjen e disa deputetëve të pavarur.

Tsipras deklaroi të enjten se votëbesimin në parlament e konsideron si referendum për zbatimin e planit katërvjeçar për rimëkëmbjen shoqërore të vendit.

Votimi vjen në kohën kur qeveria po nxit votuesit që të marrin pjesë në zgjedhjet e njëkohshme lokale dhe europiane të 26 majit.

Ndërkohë opozita me në krye partinë “Demokracia e Re” e kanë akuzuar Kryeministrin si hipokrit dhe shantazhist që po shfrytëzon votëbesimin për oportunizëm politik.

Grupimi qeverisës ndërkohë në sondazhet kombëtare rezulton më i dobët sesa rivalët demokratë.

Për ta ngushtuar distancën me kundërshtarin, të martën kryeministri Tsipras prezantoi masa lehtësuese fiskale dhe një qasje më sociale ndaj shtresave të varfra të shoqërisë.

Ai theksoi se nën qeverisjen e tij, vendi është afër daljes nga kriza paralizuese ekonomike e dekadës së fundit, madje do të nisë të paguajë së shpejti edhe borxhet që i janë marrë FMN-së ndër vite.